KORREKT / SOT23 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Showbiz

Shuhet aktori Tom Skerritt, ylli i filmit “Top Gun”

Shuhet aktori Tom Skerritt, ylli i filmit “Top Gun”

Aktori amerikan Tom Skerritt, i cili luajti në serialin televiziv "Picket Fences" dhe në filmat "Alien" e "Top Gun", ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare, njofton familja e tij.

Skerritt vdiq të mërkurën nga shkaqe natyrore. Familja e tij u shpreh: "Ndërsa bota e njihte Tomin përmes karrierës së tij të jashtëzakonshme si aktor, ne e njihnim për humorin, kureshtjen, urtësinë, bujarinë dhe dashurinë që ai solli në jetën tonë."

Gjatë një karriere që zgjati gjashtë dekada, ai mori role të shumta në filma dhe televizion, duke përfshirë paraqitje në filmat "MASH", "A River Runs Through It" dhe "Ted". Ai gjithashtu bashkëthemeloi "TheFilmSchool" në Seattle, me qëllim mbështetjen e gjeneratës së re të kineastëve dhe treguesve të historive.

Familja e tij theksoi se ai do të mbahet mend "për bindjen e tij se historitë mund t'i ndihmojnë njerëzit të shërohen, të gjejnë një qëllim dhe të sjellin ndryshim".

Aktori me mustaqe, protagonist në disa filma të suksesshëm të shekullit të 20-të, lindi në vitin 1933 në Detroit, Michigan. Ai shërbeu në Forcat Ajrore të SHBA-së përpara se t'i përkushtohej aktrimit, një karrierë gjatë së cilës interpretoi shpesh role ushtarake.

Debutimi i tij në kinema erdhi në vitin 1962, përkrah një Robert Redfordi të ri, në filmin "War Hunt". Vite më vonë, ai u bashkua sërish me Redfordin në dramën historike të vitit 1992, "A River Runs Through It", ku luante edhe Brad Pitt.

Roli që i dha famë të madhe Skerritt-it ishte ai i kirurgut të ushtrisë amerikane, Duke Forrest, në komedinë e vitit 1970 "MASH" – film që trajtonte Luftën e Koresë dhe ku luanin gjithashtu Donald Sutherland, Elliott Gould e Sally Kellerman.

Ky film i suksesshëm, i cili u shfaq në një periudhë trazirash lidhur me Luftën e Vietnamit, u nominua për pesë çmime "Oscar" dhe dy vjet më vonë u përshtat për televizion.

Ai gjithashtu luajti përkrah Sigourney Weaver në filmin fantastiko-shkencor të vitit 1979, "Alien". Filmi mori dy nominime për "Oscar" dhe çoi në krijimin e tre vazhdimeve, si dhe të disa projekteve të tjera ndërthurëse, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

"Janë spontaniteti dhe impulsi ato që bëjnë diferencën; pikërisht këtë ndjeva se e kishim te 'Alien'", tha Skerritt në një intervistë të vitit 2019, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

"Secili prej nesh kishte një lidhje të menjëhershme me të tjerët." Skerritt tha se një nga gjërat që i pëlqeu më shumë kur e lexoi për herë të parë skenarin ishte fakti se "gruaja bëhet heroinë", duke iu referuar personazhit të Weaver-it, Ripley-t.

Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur përkrah disa figurave të forta femërore në rolet kryesore.

Ai u shfaq me Shirley MacLaine në filmin e vitit 1977 Turning Point dhe luajti rolin e bashkëshortit të Sally Field në filmin Steel Magnolias të vitit 1989.

Në rolin e komandantit Mike "Viper" Metcalf në filmin klasik të vitit 1986 Top Gun, aktori i gjithanshëm u shfaq përkrah një Tom Cruise-i të ri në këtë prodhim tejet të suksesshëm.

Në televizion, ai fitoi një çmim Emmy në vitin 1993 për rolin e sherifit Jimmy Brock në dramën e David E. Kelley-t, Picket Fences.

Distributi i këtij seriali të veçantë u nominua për çmimet SAG në vitet 1995 dhe 1996, ndërsa vetë Skerritt mori një nominim si aktor në një serial dramatik në vitin 1995.

Lauren Holly, e cila luante rolin e zëvendëses së Skerritt-it në Picket Fences, e përshkroi atë në një mesazh nderimi si "udhëheqësin tonë".

"Shembulli i tij i bëri ato vite një gëzim të vërtetë; ne të gjithë e donim dhe e respektonim jashtëzakonisht shumë," shkroi Holly, duke shtuar: "Ai kujdesej thellësisht për familjen e tij – si atë në shtëpi, ashtu edhe atë në punë. Ai kujdesej thellësisht për planetin tonë dhe për të gjithë banorët e tij. Ai pati një ndikim të madh në jetën time dhe shumë nga kujtimet që kam për të lidhen me momente të qeshurash të shfrenuara."

Skerritt pati gjithashtu role si aktor i ftuar në televizion, në seriale si The West Wing, Madam Secretary, Law & Order: SVU dhe Huff. Ai u bashkua sërish me Sally Field në dramën Brothers & Sisters (2007–2009), ku luajti rolin e William Walker-it, kreut të familjes.

Ai mori pjesë në gjashtë episode të serialit Cheers, në rolin e Evan Drake-ut, shefit të Rebecca Howe-s, i cili ishte një figurë që tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve.

Në një deklaratë, familja e Skerritt-it u shpreh se ai lë pas një "trashëgimi që shkon shumë përtej ekranit". Një besimtar i thellë në fuqinë e rrëfimit të historive, Skerritt ndihmoi në themelimin e TheFilmSchool në Seattle dhe bashkëthemeloi Projektin Red Badge, i cili i ndihmon veteranët të përballojnë PTSD-në, ankthin dhe depresionin duke shkruar dhe ndarë përvojat e tyre.

I frymëzuar pjesërisht nga përvoja e tij në xhirimin e A River Runs Through It, ai gjithashtu besonte në mbrojtjen e botës natyrore.

Ai krijoi serinë dokumentare Reflections of the River rreth lumenjve të Amerikës dhe mbështeti ruajtjen e lumenjve.

Skerrit la pas gruan e tij të tretë Julie, pesë fëmijë dhe disa nipër e mbesa.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.