Shqetësimet e raportuara ditëve të fundit për komprometimin e llogarive në WhatsApp kanë nxitur reagimin e KOS-CERT, i cili ka bërë të ditur se tashmë është duke trajtuar rastet e raportuara.
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike ka njoftuar se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse shtetërore, operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa është në kontakt edhe me kompaninë Meta për të analizuar rastet dhe për të identifikuar mekanizmat e përdorur për komprometimin e llogarive.
Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin disa masa sigurie.
Qytetarëve u është rekomanduar që të mos e ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp-it (OTP), të aktivizojnë verifikimin me dy hapa dhe të kontrollojnë pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre.
Në rast se në listën “Linked Devices” shfaqet ndonjë pajisje e panjohur ose e paautorizuar, KOS-CERT rekomandon që ajo të shkëputet menjëherë.
Gjithashtu, qytetarët janë këshilluar të mos klikojnë në vegëza të dyshimta që pranojnë përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, veçanërisht kur u kërkohet verifikimi i llogarisë ose dhënia e të dhënave personale.
KOS-CERT ka paralajmëruar edhe për tentativat e regjistrimit të llogarive në pajisje të tjera. Nëse përdoruesi pranon një kod ose njoftim për një tentativë regjistrimi që nuk e ka iniciuar vetë, ai nuk duhet ta ndajë kodin dhe as ta autorizojë kërkesën.
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike ka rekomanduar që të mbrohet edhe adresa e email-it e lidhur me llogarinë, duke përdorur fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë (MFA), kur kjo mundësi ofrohet.
KOS-CERT ka theksuar se qytetarët nuk duhet të ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe në rastet kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur, pasi edhe llogaria e atij personi mund të jetë komprometuar.
Në rast se një qytetar dyshon se llogaria e tij është komprometuar, KOS-CERT rekomandon përdorimin vetëm të mekanizmave dhe kanaleve zyrtare të WhatsApp-it për rikuperimin e llogarisë, si dhe raportimin e incidentit tek KOS-CERT.
KOS-CERT ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, në bashkëpunim me institucionet, operatorët dhe partnerët relevantë, ndërsa për zhvillimet e rëndësishme publiku do të informohet përmes kanaleve zyrtare. /Telegrafi/