Shtetet e Bashkuara kanë hequr zyrtarisht Sirinë nga lista e “shteteve sponsorizuese të terrorizmit”, në një vendim që presidenti sirian Ahmed al-Sharaa e ka cilësuar si “historik” dhe një hap të rëndësishëm drejt rimëkëmbjes së vendit pas 14 vitesh luftë civile.
Vendimi hyri në fuqi të hënën, pas përfundimit të periudhës 45-ditore të shqyrtimit në Kongres, transmeton Telegrafi.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar Kongresin më 8 korrik për synimin e tij për të hequr Sirinë nga kjo listë, ku vendi ndodhej që prej vitit 1979.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendimi erdhi si njohje e hapave të ndërmarrë nga qeveria e al-Sharaas dhe angazhimit të saj për t’u distancuar nga terrorizmi ndërkombëtar.
Nga Damasku, al-Sharaa falënderoi Trumpin, duke thënë se Siria po mbyll një “faqe të dhimbshme të së kaluarës” dhe po hap rrugën drejt zhvillimit, rindërtimit dhe integrimit ndërkombëtar.
Heqja nga lista ka rëndësi të madhe ekonomike. Siria nuk do të përballet më me disa prej kufizimeve që lidhen me ndihmën amerikane, eksportet e mbrojtjes, mallrat me përdorim të dyfishtë dhe transaksionet financiare.
Vendimi mund të lehtësojë gjithashtu hyrjen e investimeve të huaja dhe integrimin e vendit në sistemin financiar ndërkombëtar.
Në të njëjtën ditë, SHBA revokoi edhe përcaktimin e Frontit al-Nusra, grupi i dikurshëm i drejtuar nga al-Sharaa dhe i njohur më vonë si Hayat Tahrir al-Sham (HTS), si organizatë terroriste globale.
Me largimin e Sirisë, në listën amerikane mbeten vetëm Kuba, Irani dhe Koreja e Veriut.
Vendimi shihet edhe si pjesë e përpjekjes së Uashingtonit për ta afruar Sirinë me Perëndimin dhe për ta larguar nga ndikimi i Iranit dhe Rusisë.
Për qeverinë e re në Damask, ai mund të jetë një hap vendimtar drejt investimeve, rindërtimit ekonomik dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. /Telegrafi/
