Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar para mediave se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe urgjente, duke theksuar se qytetarët po shprehin shqetësimin dhe revoltën e tyre pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish krerët e UÇK-së.
Tahiri tha se 16 shtatori ka qenë një ditë e rëndë për Kosovën, duke theksuar se qytetarët po shprehin shqetësimin dhe revoltën e tyre për situatën aktuale.
“Për të kërkuar që institucionet përkatëse, Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri dhe duhet të bëjë veprimet e duhura, të nevojshme dhe urgjente karshi çështjeve me të cilat është përballur vendi ynë. 16 shtatori ka qenë një ditë e rëndë për Kosovën. Qytetarët e Kosovës, me të drejtë, po shprehin revoltën e tyre për situatën aktuale”, ka deklaruar Tahiri.
Ai tha se gjatë mbledhjes kishte kërkuar që vëmendja institucionale të rikthehet te ajo që e konsideroi një çështje të rëndësishme dhe se Kuvendi duhet të ketë një deklaratë të përbashkët.
“Jam këtu për ta alarmuar situatën, ta kthej fokusin tek kjo padrejtësi dhe, me shumë respekt, kryesisë të Kuvendit i kërkova që Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të mbahet ditën e hënë”, tha Tahiri.
Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se personalisht do të komunikojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në mënyrë që kjo nismë ligjore të marrë rrugën e nevojshme për procedim.
Tahiri tha se bëhet fjalë për nismën që lidhet me projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“Haxhiu u zotua që personalisht ajo të komunikojë me Albin Kurtin që kjo nismë ligjore ta ketë rrjedhën e nevojshme, që të bëhet projektligji për Dhomat e Specializuara. Në rrethanat në të cilat jemi, kërkohet përgjegjësi kombëtare dhe politike”, ka përfunduar Tahiri.