Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhet sot në orën 13:00.
Lajmin për Telegrafin e ka kofirmuar deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa i cili tha se në mbledhje do të diskutohet vetëm për vazhdimin e seancës konstituive, të thirrur për 9 shtator, ku pritet të votohet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Po në orën 13:00, me një pikë diskutimi: seanca e thirrur më 9 shtator për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, ka deklaruar Mustafa.
Ndërkaq, mbledhja pritet të drejtohet nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin si datën për vazhdimin e seancës konstituive.
Kuvendi është mbledhur dy herë që nga zgjedhjet e 7 qershorit. Në seancën e parë, deputetët kanë dhënë betimin, ndërsa më pas kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e seancës për të zhvilluar negociata lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti kishte deklaruar se, nëse Kuvendi do të konstituohej dhe Qeveria do të formohej pa një marrëveshje për presidentin, vendi nuk do t’i shmangej zgjedhjeve të reja.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi negociata vetëm me LDK-në. Palët kishin arritur një marrëveshje për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për president, por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan këtë marrëveshje. Pas kësaj, Kurti deklaroi se marrëveshja ndërmjet VV-së dhe LDK-së vazhdon të jetë në fuqi.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së dhe Aleancës, pavarësisht kundërshtimit të tyre ndaj negociatave me Kurtin, kanë kërkuar vazhdimisht që të thirret dhe të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me Guxo dhe Alternativën, që garuan në koalicion parazgjedhor, ka siguruar 53 mandate. PDK-ja ka fituar 22 ulëse, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7 deputetë.
Ndërkaq, që nga muaji prill, detyrën e presidentes së Kosovës po e ushtron Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit. /Telegrafi/