Antonio Rudiger ka dalë në mbrojtje të yjeve të Real Madridit, përfshirë Kylian Mbappen dhe Vinicius Juniorin, pas kritikave se sulmuesit madrilenë duhet të kontribuojnë më shumë edhe në fazën defensive të lojës.
Në një intervistë për The Athletic, mbrojtësi gjerman ka kundërshtuar pritshmëritë që futbollistët me përgjegjësi të mëdha në sulm të ngarkohen edhe me detyra të vazhdueshme mbrojtëse, duke theksuar se kontributi i tyre kryesor duhet të vlerësohet për atë që bëjnë para portës kundërshtare.
“A duhet t’i them një lojtari që ka shënuar më shumë se 80 apo 90 gola brenda dy vjetësh dhe që tashmë ka arritur në 100 gola për klubin, të bëjë punën time? Kjo nuk ka kuptim”, deklaroi Rudiger.
Gjermani iu referua edhe treshes së famshme sulmuese të Real Madridit, të përbërë nga Gareth Bale, Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo, duke rikujtuar se edhe në të kaluarën klubi ka pasur futbollistë të mëdhenj ofensivë, prej të cilëve nuk mund të kërkohej vazhdimisht angazhim i njëjtë në të dyja fazat e lojës.
Rudiger pranoi se menaxhimi i futbollistëve me karaktere të forta dhe personalitete të mëdha ka qenë gjithmonë pjesë e realitetit të klubit madrilen.
Ai përmendi edhe ish-trajnerët Julen Lopetegui dhe Rafa Benitez, të cilët, sipas tij, janë përballur me sfida të ngjashme gjatë periudhave të tyre në krye të Real Madridit.
“Kjo është historia e Real Madridit. Nëse kthehemi pas në kohë, edhe Lopetegui dhe Benitez kanë pasur vështirësi me këtë çështje, sepse Real Madridi ka qenë gjithmonë një skuadër e mbushur me yje dhe personalitete të mëdha të futbollit. Pra, kjo nuk është thjesht një mit, por realiteti”, u shpreh ai.
Në fund, mbrojtësi gjerman foli edhe për Vinicius Juniorin, duke vlerësuar përkushtimin e brazilianit dhe përpjekjet e tij për ta përmirësuar situatën, pavarësisht kritikave të fundit.
Ai e përshkroi brazilianin si një futbollist që punon shumë dhe bën gjithçka për ta kthyer situatën në favorin e tij, duke nënvizuar se Real Madridi ka nevojë për një Vinicius në formë të mirë dhe me gjendje të qëndrueshme psikologjike. /Telegrafi/

