KORREKT / SOT21 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Renditja sipas rëndësisë e 15 albumeve të grupit Pink Floyd

Renditja sipas rëndësisë e 15 albumeve të grupit Pink Floyd

Pak grupe në historinë e rokut kanë arritur të ndërthurin risinë e tingullit, thellësinë emocionale dhe ambicien konceptuale ashtu si Pink Floyd. Nga fillimet psikodelike te epikat që mbushnin stadiumet, i rendisim 15 albumet e grupit Pink Floyd: ikonat, të pazakontat dhe gjithçka ndërmjet tyre.

Nga: Steve Wright / Classical Music (titulli: So, we ranked all 15 Pink Floyd albums. And there’s definitely a ‘magic run’ in there)
Përkthimi: Telegrafi.com

Nga origjina psikodelike te epikat e gjera filozofike, krijimtaria e tyre përshkon një hark magjepsës përgjatë dekadave të evolucionit kulturor dhe muzikor. Në kulmin e tyre, fllojdët nuk bënin thjesht albume – krijonin përvoja gjithëpërfshirëse: kinematografike në përmasa, përndjekëse në tingull dhe shpesh mahnitshëm të bukura.

Diskografia e tyre është një histori metamorfoze. Me Syd Barrettin e paqëndrueshëm si lider, vitet e para ishin kaleidoskopike dhe të paparashikueshme. Kur David Gilmour mori përsipër detyrat në kitarë dhe Roger Watersi u shfaq si arkitekti kryesor konceptual, grupi u zhvendos drejt një terreni më të ngarkuar politikisht dhe psikologjikisht.

Në vitet ’70 të shekullit XX, ata krijuan disa prej albumeve më ambicioze dhe më të shitura në historinë e rokut. Dhe, edhe mes ndryshimeve në formacion, grindjeve dhe ndryshimeve të shijeve muzikore, ata mbetën vazhdimisht krijues.

Pink Floyd në vitet e hershme: (nga e majta në të djathtë) Roger Waters (bas, vokal), Nick Mason (bateri), Syd Barrett (vokal, kitarë) dhe Rick Wright (tastiera), 4 mars 1967Foto: Doug McKenzie / Getty Images

Por, jo të gjitha albumet e tyre janë të një niveli. Disa janë shumë të dashura, por jo në nivel; disa të tjera kanë të meta, ndonëse janë magjepsëse. Dhe, pastaj janë ato pak më të rralla që duken të përjetshme – kryevepra që vazhdojnë të jehojnë brez pas brezi.

Ja renditja jonë e 15 albumeve të grupit Pink Floyd, nga ato më pak esenciale deri tek ato krejtësisht ikonike. Qofsh adhurues prej kohësh apo një i sapoardhur kureshtar, kjo listë është kremtim i një grupi që e ndryshoi përgjithmonë tingullin e rokut.

Lexo po ashtu për Pink Floyd:
– “Wish You Were Here” për pak sa nuk e shkatërroi grupin Pink Floyd
– “Pink Floyd at Pompeii – MCMLXXII”: Një kujtesë vullkanike e madhështisë së tyre
– Valët e trurit, inteligjenca artificiale dhe Pink Floyd
– Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme
– Tre megalomaniakë në një dhomë: “The Wall” – përvoja më e hidhur e Alan Parkerit
– Gjeniu i çmendur pranë shtëpisë sime
– Të fotografosh gjeniun e çmendur

15. More (1969)


Kolonë zanore e filmit pak të njohur me të njëjtin titull, More është një kuriozitet kalimtar që e zë grupin mes fillimeve të tyre psikodelike dhe kulmit të tyre në rokun progresiv. Nuk është në nivel, por jep shenja të asaj që do të vijë – Cymbaline dhe Green Is the Colour tregojnë aftësinë e tyre gjithnjë në rritje për të krijuar atmosferë. Megjithatë, në pjesë të tjera devijon drejt instrumentaleve të zgjatura e pa drejtim dhe devijimeve në hard-rok që duken të shkëputura. Album interesant, por jo esencial.
Pjesa kryesore: Cymbaline.

14. Ummagumma (1969)


Album i dyfishtë, i ndarë mes incizimeve në koncerte dhe pjesëve eksperimentale të secilit anëtar, Ummagumma e paraqet grupin në formën e tij të vetëkënaqësisë. Disku live është i papërpunuar dhe gjithëpërfshirës, duke ofruar versione të fuqishme të klasikëve të hershëm si Set the Controls for the Heart of the Sun. Megjithatë, disku në studio (me përjashtim të Grantchester Meadows të Roger Watersit) është i shkëputur dhe shpesh të huton – album më interesant si dokument i eksperimentimit të viteve ‘60 të shekullit XX sesa për kënaqësinë e dëgjimit.
Pjesa kryesore: Grantchester Meadows.

Pink Floyd pas Barrettit, janar 1969: (nga e majta në të djathtë) Rick Wright, David Gilmour, Roger Waters, Nick MasonFoto: Christian Rose / Roger Viollet via Getty Images

13. The Endless River (2014)


Një pasthënie e papritur, e përpiluar prej materiale të papërdorura të albumit The Division Bell, ky album kryesisht instrumental është një udhëtim meditativ dhe ambiental. Është homazh për Rick Wrightin, tastierat e të cilit mbizotërojnë atmosferën. Ndonëse i mungon një narrativë e fortë ose një singël që spikat, The Endless River ka një cilësi të qetë, elegjiake. Është një lamtumirë – si për një shok grupi, ashtu edhe, me sa duket, për vetë grupin. I qetë dhe atmosferik, është më shumë elegji sesa album.
Pjesa kryesore: Louder than Words.

12. A Momentary Lapse of Reason (1987)

Albumi i parë pas Roger Watersit u pa si ringjallje e udhëhequr nga Gilmouri – dhe, ndonëse tingëllon në mënyrë të pagabueshme si Pink Floyd, i mungon thellësia e mëparshme e teksteve dhe koncepteve. Ka këngë që spikatin: Learning to Fly dhe Sorrow kanë tërheqje atmosferike dhe punë të mira në kitarë. Por, në tërësi, të jep ndjesinë e një grupi që po rivendos identitetin e vet. I lëmuar dhe profesional, por më shumë i lustruar sesa i thellë.
Pjesa kryesore: On the Turning Away.

11. Obscured by Clouds (1972)

Një perlë e fshehur që shpesh anashkalohet, ky album – kolonë zanore e vitit 1972 (për filmin francez La Vallée) – shërben si parapërgatitje për Dark Side of the Moon. Është më i përqendruar te këngët, me kitarën dhe vokalin e Gilmourit në qendër të vëmendjes. Këngë si Wot’s… Uh the Deal dhe Free Four ofrojnë një entuziazëm befasues. Nuk është deklaratë madhore e fllojdëve, por është i kënaqshëm dhe i fuqishëm.
Pjesa kryesore: Wot’s… Uh the Deal

10. The Final Cut (1983)

I cilësuar si “rekuiem për ëndrrën e pasluftës”, ky album i errët dhe teatral është, në thelb, një përpjekje solo e Roger Watersit në gjithçka – përveç emrit të grupit. Është i hidhur, i ngarkuar politikisht dhe thellësisht personal – ndonjëherë deri në pikën e tjetërsimit. Teksa këngët si The Gunner’s Dream dhe The Fletcher Memorial Home janë të fuqishme në tekst, muzikës i mungon shkëndija bashkëpunuese e veprave të mëparshme. Të mbërthen, por emocionalisht të lodh.
Pjesa kryesore: The Fletcher Memorial Home.

9. The Division Bell (1994)

Më tërheqës se paraardhësi i tij A Momentary Lapse of Reason, The Division Bell i vitit 1994 i gjen fllojdët duke zbuluar një lloj të ri të pjekurisë. Nuk është revolucionar, por është i menduar dhe i gjerë në shtrirje, me pika kulmore si High Hopes dhe Marooned. Kitara e Gilmourit ngrihet lart dhe produksioni është i pasur. Ndonëse nuk arrin kurrë lartësitë e epokës klasike, është album elegant dhe soditës që shpërblen dëgjimet e përsëritura dhe shërben si një deklaratë e dinjitetshme e periudhës së vonë.
Pjesa kryesore: High Hopes.

8. Atom Heart Mother (1970)

Atom Heart Mother është një nga albumet më ambicioze dhe më polarizuese. Suita që mban titullin e albumit, një epikë e rokut orkestral prej 23 minutash, ndërthur instrumentet e frymorëve, korin dhe psikodelinë në një formë të shtrirë. Ndonëse i mungon përqendrimi konceptual i veprave të mëvonshme, shtrirja e tij eksperimentale është mbresëlënëse. Këngët më të shkurtra në anën e dytë janë të çuditshme dhe pastorale, duke ofruar hijeshi, por pak kohezion. Është vepër interesante kalimtare – me të meta, por thelbësore në evolucionin krijues të grupit.
Pjesa kryesore: Atom Heart Mother (suita).

7. A Saucerful of Secrets (1968)

Ky është tingulli i një grupi në ndryshim – Syd Barretti duke u larguar, David Gilmouri duke hyrë. Nuk është në nivel, por historik. Set the Controls for the Heart of the Sun dhe kënga që mban titullin e albumit janë pika kulmore psikodelike, që ndërthurin atmosferën kozmike me rëndesën eksperimentale. Këtu ka pështjellim, por edhe ambicie. Është forma embrionale e fllojdëve që do të bëhen, ku kaosi i lë vend kohezionit.
Pjesa kryesore: Set the Controls for the Heart of the Sun.

6. Meddle (1971)

Këtu gjithçka vërtet bashkohet. Meddle i vitit 1971 është ura mes së kaluarës psikodelike dhe së ardhmes konceptuale. Kënga hapëse, One of These Days, është një shpërthim emocionues instrumental, ndërsa Echoes (të 23 minutat e saj) është një kryevepër e ndërtimit të atmosferës, teksturës së tingullit dhe kulmit emocional. Pjesa tjetër e albumit shkon nga bluzi tek e çuditshmja. Është eksplorues, koherent dhe krejtësisht Pink Floyd.
Pjesa kryesore: Echoes.

5. The Piper at the Gates of Dawn (1967)

Magnum opusi psikodelik i Syd Barrettit nuk ngjan me asgjë tjetër në katalogun e fllojdëve. Është kureshtar, i çuditshëm dhe shpesh shqetësues. Pjesët si Astronomy Domine dhe Interstellar Overdrive shpërthejnë në territorin e spejs-rokut, ndërsa Lucifer Sam dhe Bike me ekscentricitetin britanik. Vizioni unik i Barrettit shkëlqeu, por për pak kohë, dhe ky album mbetet artefakt i krijimtarisë së viteve ‘60 të shekullit XX dhe i një origjinaliteti që të trazon mendjen.
Pjesa kryesore: Interstellar Overdrive.

Pink Floyd (Nick Mason, Rick Wright, Syd Barrett dhe Roger Waters) jashtë EMI-t në Londër, pasi nënshkruan kontratë me kompaninë më 3 mars 1967Foto: Arthur Sidey / Daily Mirror / Mirrorpix via Getty Images

4. Animals (1977)

Një nga albumet e tyre më të errëta dhe më politike, i dalë në të njëjtin vit (1977) me kulmin e pankut, Animals është i papërpunuar, i zemëruar dhe i zhveshur. I bazuar lirshëm në Fermën e kafshëve të Orwellit, këngët e tij të gjata – Dogs, Pigs dhe Sheep – sjellin një koment therës shoqëror mbi aranzhime të ndërlikuara dhe agresive. Watersi dominon, por puna e Gilmourit në kitarë është e fuqishme. Nuk është aq i kapshëm sa albumet e tjera, por egërsia dhe kompleksiteti i tij muzikor i kanë dhënë statusin e një albumi kult mes adhuruesve më të përkushtuar.
Pjesa kryesore: Dogs.

3. The Wall (1979)

Një rok-operë e gjerë që ndërthur traumën personale, ankthin politik dhe ambicien teatrale – The Wall është epika më provokuese dhe përçarëse e fllojdëve. The Wall është një nga arritjet më ambicioze dhe më teatrale të grupit Pink Floyd – një rok-operë e gjerë që eksploron izolimin, traumën, luftën dhe koston psikologjike të famës. I shtyrë nga rrëfimi thellësisht personal i Roger Watersit, albumi ndjek personazhin Pink teksa ai ndërton një barrierë emocionale mes vetes dhe botës. Në aspektin muzikor, është i mbushur me momente të paharrueshme – nga sfida agresive e Another Brick in the Wall (Part II) te dëshpërimi operistik i Comfortably Numb. Megjithatë, me gjithë shkëlqimin e tij, The Wall prej kohësh i ka ndarë adhuruesit dhe kritikët. Disa e konsiderojnë të fryrë ose me vetëkënaqësi, ndërsa për të tjerët mungon fryma më demokratike dhe eksploruese e fllojdëve të mëparshëm. Megjithatë, intensiteti i tij emocional, shtrirja kinematografike dhe jehona kulturore e qëndrueshme e bëjnë atë një nga albumet konceptuale përcaktuese të rokut – dhe një portret të fuqishëm psikologjik.
Pjesa kryesore: Comfortably Numb – me gjasë kulmi emocional dhe muzikor i The Wall, me një nga solot më ikonike në kitarë të David Gilmourit.

2. Wish You Were Here (1975)

Albumi më i ndjeshëm i grupit – një homazh elegjiak dhe atmosferik për miqësinë e humbur, zhgënjimin krijues dhe çmimin e famës. Një homazh me jehonë të fortë emocionale për anëtarin themelues, Syd Barrett, Wish You Were Here është një nga albumet më prekëse të grupit Pink Floyd. Pesë këngët e tij ndërthurin tekste me aranzhime të shtrira dhe hipnotike që eksplorojnë temat e mungesës, tjetërsimit dhe pafajësisë së humbur. Kënga që mban titullin e albumit të thyen zemrën me thjeshtësinë e saj akustike. Shine On You Crazy Diamond, në nëntë pjesë, e hap dhe e mbyll albumin me një shkëlqim që ndërtohet ngadalë dhe me një madhështi pikëllimi. Ndërkohë, Have a Cigar dhe Welcome to the Machine shtojnë një ton kritik ndaj industrisë, duke zbërthyer mungesën e shpirtit të biznesit muzikor. Teksturat tingullore të albumit – sintetizatorë të pasur, solo plot dhimbje dhe produksioni kumbues – ngjallin njëkohësisht afërsi emocionale dhe largësi ekzistenciale. Është melankolik, madhështor dhe thellësisht njerëzor – ndoshta vepra më e plotë në aspektin emocional e fllojdëve.
Pjesa kryesore: Shine On You Crazy Diamond është homazh për vokalistin e tyre të humbur, Syd Barrett – një kryevepër epike që ndërtohet ngadalë dhe që përcakton shpirtin e grupin në çastin e tij më të brishtë.

Pink Floyd më 1973: (nga e majta në të djathtë) Nick Mason, Dave Gilmour, Roger Waters, Rick WrightFoto: Michael Ochs Archives / Getty Images

1. The Dark Side of the Moon (1973)

Një kryevepër e përjetshme dhe gjithëpërfshirëse që eksploron pyetjet më të mëdha të jetës, The Dark Side of the Moon e riformësoi muzikën rok dhe përcaktoi një brez. The Dark Side of the Moon nuk është thjesht një album – është fenomen kulturor. I publikuar në atë vit të madh e të çuditshëm, 1973, albumi i tetë në studio i grupit Pink Floyd e përmblodhi ankthin ekzistencial në një udhëtim të pandërprerë tingullor përmes temave të kohës, vdekjes, lakmisë, çmendurisë dhe jetës moderne. Kopertina e tij ikonike me prizmin dhe produksioni i përsosur e bëjnë menjëherë të dallueshëm, ndërsa risitë e tij muzikore – si efektet zanore në takt, sintetizatorët analogë dhe copëzat e të folurit – i shtynë kufijtë e asaj që mund të ishte një album roku. Por, nuk ishte novator vetëm nga ana e tingullit. Albumi preku shqetësimin kolektiv dhe i dha zë në një mënyrë që pak albume e kanë bërë ndonjëherë. Ai qëndroi në klasifikimet e Billboard-it për më shumë se 14 vjet 0 një arritje e pakrahasueshme – duke e përforcuar vendin e tij në kulturën pop. Pjesët si Time, Money dhe Us and Them u bënë jo thjesht hite, por pika referimi për breza që përballeshin me një botë gjithnjë e më komplekse. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme: është përdorur nga artistë të hip-hopit, është referuar në filma dhe është analizuar pafundësisht nga audiofilët. Qoftë i përjetuar me kufje apo në një skenë të madhe, The Dark Side of the Moon mbetet një eksplorim që kapërcen të zakonshmen e gjendjes njerëzore.
Pjesa kryesore: Time kap thelbin e The Dark Side of the Moon – një meditim mbi vdekshmërinë, keqardhjen dhe kalimin e jetës. Duke u hapur me kumbimin tronditës të shumë orëve dhe një soloje me perkusione, ndërtohet në një ndërthurje të fuqishme të kitarës së David Gilmourit dhe teksteve depërtuese të Roger Watersit. Thellësia emocionale, ambicia e tingullit dhe qartësia e tekstit e bëjnë këngën një nga pikat më të spikatura në udhëtimin ekzistencial të albumit. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.