Të paktën 153 persona kanë humbur jetën pas një sulmi me dron ndaj tregut Amiet, në rajonin e kontestuar të Abyeit, mes Sudanit dhe Sudanit të Jugut.
Sulmi goditi një depo karburanti pranë tregut, duke shkaktuar një zjarr të madh që vazhdonte të digjej edhe të martën, raporton CNN.
Yohanna Akol Ngor, ministri në detyrë i Informacionit në administratën e Abyeit, fajësoi ushtrinë sudaneze për sulmin e së hënës.
Ai deklaroi për agjencinë Associated Press se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen.
Një zyrtar i lartë ushtarak sudanez konfirmoi se ushtria kishte kryer një sulm me dron, duke pretenduar se objektiv ishin cisternat e karburantit që vinin nga Sudani i Jugut dhe që, sipas tij, ishin të destinuara për Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paramilitar që është në konflikt me ushtrinë sudaneze.

