Real Madridi vazhdon të kërkojë një mesfushor të ri dhe tashmë në listën e klubit ka dalë një emër i ri nga Liga Premier.
Nevoja për përforcime në mesfushë mbetet një nga çështjet që klubi madrilen synon ta adresojë në afatet e ardhshme kalimtare, qoftë në janar apo gjatë verës së vitit 2027.
Pavarësisht ndryshimit të trajnerit, problemet e shfaqura në këtë repart gjatë sezoneve të fundit vazhdojnë të jenë të pranishme.
Për këtë arsye, drejtuesit e Real Madridit kanë nisur të shqyrtojnë disa alternativa.
Martin Zubimendi është një nga emrat që është përmendur më së shumti, por së fundmi në listë është shtuar edhe një tjetër mesfushor i Ligës Premier.
Sipas gazetarit Latigo Serrano, Real Madridi po monitoron situatën e Alex Scott, 23-vjeçarit të Bournemouthit.
Mesfushori anglez ka kontratë me Bournemouthin deri në vitin 2028, por klubi nga Liga Premier pritet të shqyrtojë shitjen e tij gjatë verës së vitit 2027, në mënyrë që të përfitojë financiarisht para se lojtari të hyjë në vitin e fundit të kontratës.
Interesimi i Real Madridit për Scott nuk është i ri, sipas të njëjtit burim, drejtuesit madrilenë kishin pyetur për mesfushorin edhe gjatë negociatave me Bournemouthin për transferimin e Dean Huijsen.
Në atë kohë, klubi anglez thuhet se u kishte bërë të ditur madrilenëve se do t’i kontaktonte në rast se Scott do të bëhej i disponueshëm në treg.
Megjithatë, Real Madridi do të përballet me konkurrencë të fortë për shërbimet e tij.
Liverpooli dhe Chelsea kanë kohë që e ndjekin situatën e 23-vjeçarit, ndërsa Chelsea madje kishte paraqitur një ofertë gjatë verës, e cila ishte refuzuar nga Bournemouthi.
Klubi londinez pritet të rikthehet me një tjetër përpjekje në afatin kalimtar të janarit.
Për më tepër, Scott nuk pritet të jetë një transferim i lirë, pavarësisht se kontrata e tij do të hyjë në fazën e fundit, Bournemouthi pritet të kërkojë rreth 70 milionë euro për ta lënë të largohet.
Në muajt e ardhshëm pritet të bëhet më e qartë nëse Real Madridi do ta kthejë interesimin për Scott në një lëvizje konkrete. /Telegrafi/