Real Madridi ka hyrë fuqishëm në afatin kalimtar të verës, duke e vendosur në krye të listës së objektivave Manu Konen, mesfushorin e Romës që po shkëlqen me Kombëtaren e Francës në Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimeve, francezi është një kërkesë e drejtpërdrejtë e trajnerit Jose Mourinho, i cili dëshiron ta përforcojë mesfushën me një lojtar që kombinon forcën fizike dhe cilësinë teknike.
Drejtuesit e Real Madridit kanë reaguar menjëherë pas afrimit të mundshëm të largimit të Eduardo Camavingas drejt Ligës Premier dhe tashmë po përgatisin një ofertë zyrtare prej 60 milionë eurosh për kartonin e Kones.
Mourinho kërkon një mesfushor që mund të garantojë ekuilibër taktik dhe intensitet në repartin qendror për sezonin e ri, ndërsa Kone konsiderohet profili ideal për këtë rol.
Rasti i tij mori edhe më shumë vëmendje gjatë Kupës së Botës, kur pas dëmtimit të Aurelien Tchoumaenit, përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, i besoi Kones një rol titullari në fazën vendimtare të turneut.
Mesfushori i Romës u shqua me paraqitje të nivelit të lartë, duke luajtur rol të rëndësishëm në suksesin e Francës ndaj Marokut, fitore që siguroi kualifikimin e “Gjelave” në gjysmëfinalen e Botërorit.
Roma është e vetëdijshme se vlera e Kones në treg është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve të tij me kombëtaren franceze. Futbollisti ka kontratë me klubin italian deri në verën e vitit 2029, gjë që i jep Romës një pozicion të fortë në negociata.
Megjithatë, një ofertë prej 60 milionë eurosh konsiderohet mjaft joshëse për drejtuesit e klubit nga kryeqyteti italian dhe mund të hapë rrugën për një transferim gjatë kësaj vere.
Mourinho beson se karakteristikat fizike, disiplina taktike dhe aftësitë e Kones e bëjnë atë një futbollist ideal për t’u përshtatur shpejt me kërkesat e La Ligas dhe për t’u bërë një element kyç në mesfushën e Real Madridit./Telegrafi/
