Ylli britanik i boksit, Anthony Joshua, është bërë baba për herë të dytë, pasi partnerja e tij, Nicole Osbourne, ka sjellë në jetë një vajzë më 14 nëntor.
Foshnja ka lindur me peshë prej 2.5 kilogramësh, ndërsa çifti ende nuk e ka bërë publik emrin e saj. Joshua dhe partnerja e tij kanë edhe një djalë 11-vjeçar, JJ.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Sun”, 37-vjeçari ka treguar se lajmin për shtatzëninë dhe gjininë e foshnjës kishte vendosur ta mbante larg vëmendjes publike. Ai nuk e ka fshehur emocionin për ardhjen në jetë të vajzës, duke thënë se tani do të ketë më pak kohë për videolojëra dhe aktivitete të tjera me djalin.
Megjithatë, boksieri ende nuk e ka takuar nga afër të bijën, pasi ndodhet në Marbella, ku po përgatitet për një përballje të shumëpritur me Tyson Fury. Deri atëherë, ai mban kontakt me partneren përmes video-telefonatave.
Joshua ka folur edhe për periudhën e vështirë që ka kaluar pas vdekjes së dy miqve të tij të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif Ayodele, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në Nigeri, dhjetorin e kaluar.
Ai ka thënë se kjo humbje e ka bërë të reflektojë për vlerën dhe shkurtësinë e jetës, duke shtuar se ardhja në jetë e vajzës ishte një vendim i vetëdijshëm dhe një arsye tjetër për ta jetuar jetën me më shumë kuptim.

