Me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar martirët e kësaj masakre, duke e cilësuar Reçakun si një plagë që nuk mbyllet kurrë dhe një kujtesë të përhershme për çmimin e lirisë.
Në një postim në Facebook, Rama ka theksuar se dhimbja e Reçakut është dhimbje kombëtare dhe se përkujtimi i viktimave mbetet obligim moral dhe institucional.
“Në këtë përvjetor, përkulemi me respekt para jetëve të pafajshme që u shuan mizorisht. Dhimbja e Reçakut është dhimbje kombëtare”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka nënvizuar rëndësinë e së vërtetës dhe drejtësisë, duke theksuar se liria e Kosovës ka ardhur me sakrificë. “Është një kujtesë e përhershme pse liria jonë ka çmim dhe pse e vërteta duhet thënë gjithmonë, pa frikë dhe pa kompromis”, ka deklaruar ai.
Në përfundim të mesazhit të tij, Rama ka nderuar martirët e Reçakut dhe ka bërë thirrje për unitet në rrugën drejt drejtësisë dhe shtetësisë.
“Lavdi martirëve të Reçakut. Kujtimi i tyre le të na bashkojë, le të na forcojë dhe le të na udhëheqë drejt drejtësisë dhe shtetësisë”, ka përfunduar kryetari i Prishtinës. /Telegrafi/