KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Rama ironizon Faragen: Kujdes nga mallkimi shqiptar

Rama ironizon Faragen: Kujdes nga mallkimi shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ironizuar liderin e Reform UK, Nigel Farage, për deklaratat e tij kundër emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, duke e paralajmëruar se duhet të ketë kujdes nga ajo që e quajti “mallkimi shqiptar”.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Independent”, Rama ka komentuar pretendimin e Faraget se një në 50 shqiptarë që jetojnë në Britani ndodhet në burg, duke e cilësuar të turpshëm përdorimin e komuniteteve dhe përkatësive etnike për përfitime politike.

Kryeministri shqiptar ka kujtuar edhe ftesën që i kishte bërë Faraget për të vizituar Shqipërinë dhe për të verifikuar nga afër pretendimet e tij, duke thënë se lideri britanik ende nuk e ka mbajtur premtimin.

“Ai është shumë i mirë në bërjen e premtimeve, por nuk duket aq i mirë në mbajtjen e tyre”, është shprehur Rama.

Duke iu referuar edhe ish-ministres britanike Suella Braverman, e cila më herët kishte bërë deklarata kritike ndaj shqiptarëve, Rama tha se politikanët që sulmojnë këtë komunitet nuk përfundojnë mirë politikisht.

“Mallkimi shqiptar është diçka nga e cila duhet të kesh kujdes, sepse kushdo që sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht”, deklaroi ai.

I pyetur nëse deklaratat e Faraget mund të konsiderohen raciste, Rama tha se, pavarësisht përcaktimit, një qasje e tillë është e turpshme.

“Mund të jetë racizëm, mund të mos jetë racizëm. Por është e turpshme në të dyja rastet”, tha kryeministri shqiptar.

Në intervistën për gazetën britanike, Rama foli edhe për zhvillimet politike në Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit-it, ndikimin e rrjeteve sociale në demokraci dhe protestat e fundit në Shqipëri.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe projektit të investimit në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Rama mohoi akuzat për konflikt interesi dhe korrupsion, duke theksuar se negociatat vazhdojnë dhe se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Ai shtoi se projekti duhet t'u nënshtrohet edhe vlerësimeve mjedisore.

Kryeministri shqiptar foli gjithashtu për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri, ndërsa përsëriti ambicien që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Në fund të intervistës, Rama përmendi ish-kryeministrin britanik Tony Blair si një nga figurat që kanë ndikuar në formimin e tij politik, ndërsa shprehu edhe admirim për Margaret Thatcher, pavarësisht dallimeve ideologjike. /Klankosova.tv

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.