Nga: Mahjoob Zweiri, studiues dhe analist politik, i specializuar në politikën e Iranit dhe të Lindjes së Mesme / Al Jazeera
Përkthimi: Telegrafi.com
Protestat e Vitit të Ri në Iran ndodhën në fund të një viti të shënuar nga lufta, tensioni ekonomik dhe pasiguria politike.
Në vitin 2025, Izraeli ndërmori një sulm 12-ditor ndaj Iranit, duke vrarë udhëheqës të lartë ushtarakë dhe duke pasur cak infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike. Sulmi u pasua nga goditjet ajrore të ShBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane në Fordou, Isfahan dhe Natanz.
Teksa viti po mbyllej, protestat shpërthyen në kryeqytet, në Teheran, dhe në qytete të tjera në Iranin qendror dhe jugperëndimor – duke filluar në javën e fundit të vitit 2025 dhe duke vazhduar në ditët e para të vitit 2026.
Këto protesta nuk ishin të paprecedenta. Shoqëria iraniane ka qenë dëshmitare e mijëra protestave që nga mesi i viteve ’90 të shekullit XX – të ndryshme për nga shkalla dhe pjesëmarrja. Gjatë viteve, shkaqet e këtyre protestave kanë ndryshuar – nga kufizimet ndaj lirive sociale dhe politike, deri te përkeqësimi i kushteve ekonomike.
Në Iran, protestat e përsëritura formësohen nga ndërveprimi midis politikës së brendshme, qeverisjes, politikës së jashtme dhe ndikimit të sanksioneve – të cilat së bashku ndikojnë si në shfaqjen e pakënaqësisë ashtu edhe në reagimin e shtetit ndaj saj, veçanërisht në kushtet e sanksioneve të vazhdueshme dhe tensioneve me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Protestat që mbyllën vitin, pasuan me një grevë nga tregtarët dhe pronarët e dyqaneve në pazare, për shkak të rënies së ndjeshme të fuqisë blerëse. Kjo rënie e përshpejtuar u shkaktua nga rritja e inflacionit – reflektuar në rënien e rialit iranian, i cili humbi rreth 50 për qind të vlerës – si dhe nga rritja e papunësisë në 7.5 përqind.
Kjo nuk ishte hera e parë që pakënaqësitë ekonomike nxitën trazira. Në vitin 2008, pas një rritjeje të normës së TVSh-së, pazari shpërtheu në protesta, duke detyruar qeverinë e presidentit Mahmoud Ahmadinejad të tërhiqej nga zbatimi i masës.
Protestat më të kufizuara pasuan në vitin 2010, pasi qeveria e Ahmadinejadit tentoi të vendoste një ligj që rriste normën e tatimit mbi të ardhurat në 70 përqind – përpara se të tërhiqej sërish nën presionin popullor.
Në të gjitha lëvizjet protestuese në Iran, ndër vite, brengat ekonomike kanë qenë vazhdimisht të pranishme krahas kërkesave për më shumë liri sociale – përfshirë kundërshtimin ndaj ligjit për hixhabin e detyrueshëm. Këto çështje nxitën demonstrata të gjera në vitin 2022, pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Aminit – kur ndodhej në paraburgim për shkak të ligjit për hixhabin – ndërsa përpjekjet e autoriteteve për ta fajësuar atë për çfarë ndodhi, nxitën zemërim të madh publik.
Megjithatë, asnjë reformë themelore nuk është ndërmarrë nga qeveritë pasuese. Presidenti Mohammad Khatami (1997-2005) propozoi një strategji alternative ekonomike që synonte reduktimin e varësisë nga të ardhurat nga nafta dhe zhvillimin e sektorëve që nuk kanë të bëjnë me naftë, për të zbutur ndikimin e sanksioneve të cilat shpesh synojnë industrinë e naftës në Iran. Këto masa nuk patën sukses, pasi kriza bërthamore u përshkallëzua pas publikimit të imazheve të para të objektit të Natanzit në gusht 2002, duke rritur presionin ekonomik nga jashtë.
Nga viti 2005 deri në 2013, Ahmadinejadi pati një qasje populiste, të përqendruar në shpërndarjen e të ardhurave nga nafta përmes të ashtuquajturit program nga-nafta-në para. Kjo strategji dështoi, duke hasur në rezistencë nga interesat e fuqishme të brendshme ekonomike dhe përballë presionit të sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së nëpërmjet rezolutave 1696, 1737, 1747, 1803 dhe 1929. Këto masa kufizuan tregtinë, ngrinë asetet financiare dhe limituan qasjen në financat ndërkombëtare – duke iu shtuar viteve të tëra të sanksioneve të njëanshme nga ShBA-ja që nga viti 1980.
Qeverisja e keqe apo sanksionet?
Përderisa demonstratat janë zgjeruar me kalimin e kohës, është rikthyer një pyetje e kahershme: Në çfarë mase sanksionet shpjegojnë krizën ekonomike të Iranit dhe çfarë përgjegjësie mban qeverisja?
Ekonomia e Iranit ka vuajtur prej kohësh nga problemet strukturore që nuk janë adresuar që nga viti 1980, pasi përparësitë e lidhura me ideologjinë revolucionare dhe kostot e saj kanë pasur përparësi ndaj ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme shtetërore. Legjislacioni ekonomik dhe financiar nuk ka ecur në hap me zhvillimet globale. Si rezultat, Irani është izoluar gjithnjë e më shumë nga tregjet ndërkombëtare, duke përkeqësuar krizat e brendshme dhe duke amplifikuar ndikimin e sanksioneve në pothuajse të gjithë sektorët.
Kjo ngre një pyetje të vazhdueshme për elitën politike dhe ekonomike të Iranit: Pse qeveritë pasuese dështuan të zhvillojnë politika dhe programe ekonomike që do të përballojnë efektet e sanksioneve?
Në këtë kontekst, partneritetet ekonomike të Iranit me Kinën – veçanërisht marrëveshja 25-vjeçare për bashkëpunim strategjik, me vlerë 400 miliardë dollarë dhe që përfshin sektorët e energjisë, telekomunikacionit, transportit dhe infrastrukturës – nuk kanë sjellë stabilitet ekonomik. Po ashtu, partneriteti strategjik me Rusinë, i nënshkruar në fillim të vitit 2025 dhe që synonte forcimin e bashkëpunimit për dy dekada, nuk e përmirësoi gjendjen ekonomike të Iranit.
Së bashku, këto partneritete kanë dështuar të zbusin pasojat e rënda të sanksioneve të vendosura nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Mendimi publik iranian, i pasqyruar në sloganet e protestës, prej kohësh e ka lidhur politikën e jashtme – veçanërisht përfshirjen e Iranit në Lindjen e Mesme – me pakësimin e të ardhurave kombëtare. Mbështetja e Iranit për grupe të jashtme dhe të armatosura – përfshirë në Liban, Irak, Jemen si dhe Palestinë – ka qenë pjesë e strategjisë së tij rajonale, duke përdorur fonde, trajnim dhe ndihmë logjistike nga Teherani. Me përkeqësimin e kushteve të jetesës, slogani “As Gaza, as Libani – jeta ime le të jetë kurban për Iranin” u dëgjua shpesh, duke u bërë një nga tiparet përcaktuese të protestave në fund të vitit 2024.
Megjithatë, që nga fillimi i vitit 2025, kjo lidhje është bërë më pak bindëse – si shpjegim për krizën ekonomike të Iranit. Ndikimi i Iranit ka rënë ndjeshëm në Liban, Siri, Gazë dhe Jemen, duke dobësuar argumentin se angazhimet rajonale janë rrënja kryesore e krizës. Kjo ndryshoi aq shumë saqë disa zyrtarë ushtarakë iranianë kanë kërkuar që Siria t’ia kthejë rreth 50 miliardë dollarë borxh Iranit – një kërkesë e refuzuar nga anëtarët e qeverisë së përkohshme siriane, të cilët, në vend që të njohin borxhin, po përgatitin një faturë kompensimi kundër Teheranit për kostot e mbështetjes së regjimit gjatë luftës civile.
Për herë të parë, udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, dhe presidenti Masoud Pezeshkian kanë pranuar publikisht se përgjegjësia për situatën ekonomike të Iranit nuk mund t’i atribuohet vetëm sanksioneve. Ky pranim theksoi rëndësinë e vazhdueshme të dështimeve në qeverisje dhe qartësoi se si udhëheqësia po i interpreton protestat që rrodhën pas sulmeve izraelite dhe amerikane në verën e vitit 2025.
Narrativat e ndryshme dhe rreziqet përpara
Udhëheqja iraniane tani paraqet dy narrativa konkurruese për të shpjeguar protestat. E para, e artikuluar nga lideri suprem dhe presidenti, përqendrohet te dështimet në qeverisje ekonomike dhe pranon se sanksionet nuk mund të shpjegojnë në mënyrë të plotë thellësinë e krizës. E dyta, e promovuar nga aparati i sigurisë, vazhdon të theksojë rolin e akterëve të jashtëm në nxitjen e trazirave dhe në shënjestrimin e regjimit.
Kjo mospërputhje krijon konfuzion brenda institucioneve shtetërore, pasi narrativa e sigurisë e përshkruan në mënyrë të nënkuptuar protestën si kërcënim ekzistencial. Duke vepruar kështu, ajo thellon tensionet shoqërore dhe zgjeron hendekun midis regjimit dhe shoqërisë.
Historikisht, shqetësimet mbi mbijetesën e regjimit kanë forcuar pozitat e aparatit të sigurisë në ballafaqimin me protestat. Sot, megjithatë, një kontekst i ndryshuar i brendshëm dhe rajonal ushtron presion mbi institucionet politike dhe të sigurisë për të reaguar ndryshe – nëse do të duan të sigurojnë mbijetesën e sistemit politik.
Në të njëjtën kohë, vetëbesimi dhe kapaciteti ushtarak i Izraelit, i kombinuar me atë që liderët iranianë e perceptojnë si mbështetje të pakufizuar nga ShBA-ja, i ka shtyrë vendimmarrësit izraelitë të mendojnë seriozisht për një luftë të re ndaj Iranit. Izraeli në fakt ka filluar një operacion të dytë ushtarak përmes një narrative të qartë se nuk do të lejojë Iranin të pasurojë uraniumin, dhe se programi bërthamor iranian duhet çmontuar ashtu siç u çmontua ai i Libisë në vitin 2003. Një konflikt i tillë do të kishte për qëllim ta bënte regjimin të brishtë – politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e sigurisë.
Kjo perspektivë e ka intensifikuar përplasjen e brendshme të Iranit me shoqërinë e vet, duke rritur mundësinë që një gjendje e zgjatur konflikti të çojë përfundimisht në ndryshim regjimi -edhe nëse ndodh me kalimin e kohës – me qëllimin e shpallur për të neutralizuar përfundimisht atë që Izraeli e konsideron si “kërcënimi iranian”. /Telegrafi/