Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me rastin e granteve, duke deklaruar se Prokuroria Speciale ka dhënë përgjigjen e saj dhe se grantet, sipas tij, janë ndarë mbi bazën e meritokracisë.
Përmes një postimi, Peci ka thënë se për dy vjet është përballur me, siç i ka cilësuar, linçim, shpifje dhe sulme të orkestruara ndaj tij dhe punës së tij, raporton lajmi.net
Ai ka pretenduar se qëndrimi i Prokurorisë Speciale i ka dhënë fund akuzave dhe insinuatave që, sipas tij, janë ngritur kundër tij lidhur me këtë çështje.
“Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme”, ka shkruar Peci.
Postimi i plotë i Pecit:
Foli Prokuroria Speciale – sepse grantet janë dhënë vetëm me meritokraci
Dy vjet të randa linçimi, baltosje e shpifje të ulta e të mbushura helm kundër meje e kundër asaj çfarë përfaqësoj, morën përgjigjen e duhur, të ditur dhe të pritur.
Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme.
Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballem me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm.
Ndërsa ju, qytetarëve të shumtë nga gjithë Kosova e mërgata, fort ju falenderoj që keni besuar në mua, përkundër luftës speciale kundër meje.
Ju siguroj se asgjë nuk mund ta njollosë punën time të ndershme si Ministër, në shërbim tuajin, në shërbim të Kosovës.

