KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

​Deputetët përplasen për mosraportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

​Deputetët përplasen për mosraportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës

Mungesa e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Mospajtimet u shfaqën lidhur me rendin e ditës dhe kërkesën e opozitës që të diskutohet për gjendjen në këtë institucion, pas shqetësimeve të ngritura për funksionimin e tij.

Kryetari i komisionit, Arben Mustafa, deklaroi se Binaku-Isufi fillimisht e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje, por më pas kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë, pa dhënë, sipas tij, ndonjë arsyetim konkret.

Mustafa tha se komisioni kishte pranuar gjatë ditëve të fundit raporte nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat, sipas tij, ngrinin shqetësime për gjendjen në këtë institucion.

Ai pretendoi se që nga maji i vitit 2025, kryetarja nuk kishte ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ky organ kishte kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar punën.

“Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret, njofton se nuk mund të vijë për raportim në komision. Sidoqoftë, duke pasur parasysh raportet që ne si komision kemi pranuar gjatë këtyre ditëve nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me situatën shqetësuese që po mbizotëron në këtë institucion… Zonja Neime Binaku-Isufi, që nga muaji maj i vitit 2025, nuk ka ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, që është organ kolegjial i cili menaxhon me punën e autoritetit. Pavarësisht se komisioni ka kuorumin e mjaftueshëm me anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Pra, ka kuorum, por mbledhjet nuk ftohen diku për një vit e gjysmë”, theksoi ai.

Gjatë diskutimit, Mustafa u përfshi në përplasje verbale me deputetë të mazhorancës, duke kërkuar që të mos ndërpritej fjala e tij.

“Mos më ndërpritni, e merr fjalën. Jemi në rend të ditës dhe, nëse pajtohemi ta mbajmë këtë temë si pikë të rendit të ditës, atëherë e ndërpres diskutimin. A jeni për ngut? Ju mos më ndërpreni dhe pastaj e merrni fjalën. Pse po ju pengon? Unë e di çka bëj”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, kërkoi që diskutimi të zhvillohej në përputhje me rregullat e punës së komisionit. Ai tha se problemet e evidentuara në materialet e dërguara nga Autoriteti i Konkurrencës ishin serioze dhe duhej të trajtoheshin, por theksoi se kryetarja kishte njoftuar për pamundësinë e pjesëmarrjes për arsye objektive.

“Duhet të krijojmë një kulturë të punës në komision dhe të mos fillojmë elaborimin e pikave nëse jemi apo nuk jemi dakord që të mbahen në rendin e ditës. Patjetër që problemet në Autoritetin e Konkurrencës, në materialet që i kanë dërguar, janë serioze dhe duhet të trajtohen nga komisioni. E kam parë emailin që ka dërguar dhe ajo thotë për arsye objektive. Pra, ka qenë e pamundur që ajo të vijë dhe nuk dua ta arsyetoj, dhe nuk kemi çka të fshehim”, shtoi ai.

Që çështja të diskutohej pavarësisht mungesës së kryetares u shpreh edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku. Ai vlerësoi se mosprania e Binaku-Isufit nuk duhej ta pengonte komisionin të shqyrtonte shqetësimet e ngritura për institucionin.

“Është mirë të diskutohet një temë pa marrë parasysh a është personi prezent apo nuk është. Kjo nuk e ndalon bisedën në këtë komision, mosprania e saj. Ajo është aty përmes Kuvendit dhe ne jemi këtu për ta mbikëqyrur punën. Biseda për kaq shumë skandale që kishin ndodhur së dy vjetësh është e shëndetshme për shtetin”, shtoi ai.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kërkoi që gjendja në Autoritetin e Konkurrencës të mbetej pjesë e rendit të ditës. Ai theksoi se Kuvendi ka përgjegjësi mbikëqyrëse ndaj institucioneve dhe se raportimi duhet të bëhet nga institucionet te organi që ushtron mbikëqyrjen parlamentare.

“Ne jo vetëm që duhet ta mbajmë si pikë të rendit të ditës, por ne duhet t’i bëjmë nja tri veprime të domosdoshme. Së pari, më lejoni t’ju kujtoj se ne jemi punëdhënësi i saj. Kuvendi është punëdhënës dhe jo anasjelltas. Ne nuk u raportojmë agjencive, ato duhet të na raportojnë neve. Si e tillë, kushdo që është mësuar se s’ka Kuvend dhe s’ka mbikëqyrje, duhet të mësohet tash se ka”, deklaroi Ramadani.

Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, duke reaguar ndaj debatit për mosmbajtjen e mbledhjeve të Komisionit të Konkurrencës, tha se ky organ nuk është mbledhur pasi ka kërkuar përgjigje lidhur me çështjen e nënkryetares, për të cilën pretendoi se ndodhet në konflikt interesi.

“Ne jemi të zgjedhur të popullit. Nuk mund ta trajtojmë askënd sikur të ishte prokurori i Kosovës. Nuk mund t’u tregojmë asnjë kryeshefi dhe zyrtari të lartë se si duhet të sillen në institucione. Ata janë të pjekur, si nga mosha, ashtu edhe profesionalisht, që t’i dinë përgjegjësitë e tyre. Nuk mund të themi: ne po e marrim një orë pauzë dhe po e ftojmë nënkryetaren. Nënkryetarja nuk është duke u sjellë rreth Kuvendit se kur po e ftojmë ne… Tregojuni mediave se po doni vetëm të bëni hajgare me popull. Mos, se nuk bëhet kështu. Komisioni nuk është mbledhur sepse ka kërkuar përgjigje, se ajo nënkryetare që po doni ta ftoni ka konflikt interesi. Nëse është dikush që dëshiron të mbrojë interesa biznesore, krejt ditën më keni këtu dhe thirrni këdo”, shtoi deputeti Kërçeli.

Por atij iu përgjigj kryetari i komisionit, Arben Mustafa, i cili tha se pretendimet për konflikt interesi të nënkryetares së Autoritetit të Konkurrencës i ka rrëzuar Gjykata Themelore.

“Pretendimin për konflikt interesi e ka rrëzuar Gjykata Themelore dhe ajo kryetare nuk mundet në mënyrë arbitrare të vendosë se kur thirret dhe kur nuk thirret. Nëse ka konflikt interesi, janë organet që vendosin”, theksoi ai.

Pavarësisht debateve dhe mospajtimeve mes anëtarëve të komisionit, në fund u arrit pajtimi që kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, t’i dërgohet sërish ftesë për javën e ardhshme, me kërkesën që të raportojë para Komisionit për Ekonomi lidhur me gjendjen dhe funksionimin e këtij institucioni.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.