Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh ndaj kompanisë pronare të një kamioni, pasi drejtuesi i mjetit nuk kishte siguruar ngarkesën që transportonte, duke rrezikuar sigurinë në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 30 qershor 2026, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
“Gjatë patrullimit të rregullt në qytetin e Prizrenit, policët kanë ndaluar për kontroll një kamion që transportonte blloka ndërtimi. Gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte siguruar ngarkesën, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për këtë shkelje, Policia ka bërë të ditur se personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 300 eurosh.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin, parandalimin dhe ndalimin e dukurive që bien ndesh me ligjin dhe që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/
