Michael Olise është vënë në shënjestër të kritikave te Bayern Munichu pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen kundër Vikingut, e cila përfundoi me rezultatin 3-3 në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi francez humbi kontrollin në minutën e 74-të, kur pas një përplasjeje me kapitenin e skuadrës norvegjeze, Zlatko Tripic, ia gjuajti topin në fytyrë kundërshtarit. Arbitri e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar nga loja.
Ky veprim mund t’i kushtojë shtrenjtë Bayernit. Sipas raportimeve të mediave gjermane, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e shqiptimit të një gjobe ndaj futbollistit për sjelljen e tij në fushë.
Kompany nuk e kursen: Ishte jashtëzakonisht budallallëk
Trajneri Vincent Kompany ishte i ashpër në vlerësimin e veprimit të Olise, duke theksuar se futbollisti duhet të mësojë t’i kontrollojë emocionet.
“Ky karton i kuq ishte jashtëzakonisht budallallëk. E kemi diskutuar qartë këtë çështje dhe jemi të vetëdijshëm për atë që ndodhi. Kjo nuk duhej të ndodhte”, deklaroi Kompany pas ndeshjes.
Trajneri belg pranoi se Olise mund të jetë provokuar nga kundërshtari, por theksoi se kjo nuk e arsyeton reagimin e tij.
“Ai e di se çfarë ka bërë. Shpresoj që kjo të jetë një përvojë nga e cila do të mësojmë dhe do të bëhemi më të fortë”, shtoi trajneri i Bayernit.
Edhe Kane kërkon përgjegjësi
Kritikave iu bashkua edhe Harry Kane, i cili shënoi dy gola në këtë ndeshje, por nuk arriti ta ndihmonte skuadrën të merrte fitoren.
“Michael duhet të marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi dhe të mësojë prej këtij gabimi. Është për të ardhur keq, sepse kemi ndeshje të mëdha përpara në Ligën e Kampionëve dhe ai do të mungojë”, u shpreh sulmuesi anglez.
Bayerni ishte në disavantazh prej dy golash, por arriti ta përmbyste rezultatin në 3-2. Megjithatë, pas përjashtimit të Olise, skuadra gjermane nuk arriti ta ruante epërsinë dhe pësoi gol në minutën e 90-të.
Rrezikon edhe gjobën financiare
Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, nuk e përjashtoi mundësinë që klubi ta ndëshkojë financiarisht futbollistin.
Kur u pyet nëse Olise mund të marrë gjobë, Eberl u përgjigj se çështja do të shqyrtohet me qetësi, duke lënë të hapur mundësinë e një mase disiplinore.
Përveç kësaj, francezi do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit për shkak të përjashtimit.
Për Bayernin, humbja e dy pikëve ndaj Vikingut dhe mungesa e Olise në një përballje të rëndësishme evropiane janë dy goditje të njëpasnjëshme.
Ndërsa për 24-vjeçarin, ky episod shërben si një paralajmërim se reagimet e pakontrolluara mund t’i kushtojnë shtrenjtë si atij personalisht, ashtu edhe skuadrës. /Zëri

