Një sipërmarrës në Zvicër pritet të dalë para Gjykatës së Qarkut në Cyrih, ku do të përballet me një sërë akuzash të rënda, që përfshijnë përdhunim, sulm seksual, mashtrim financiar, falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të bizhuterive me vlerë mbi 1.3 milion franga zvicerane.
Sipas aktakuzës, burri, i cili drejtonte një kompani ndërtimi, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-partneres së tij, si dhe është përfshirë në disa raste të dyshuara të mashtrimit financiar, përfshirë një kredi të garantuar nga shteti gjatë pandemisë COVID-19.
Megjithatë, ndaj të pandehurit vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Sipas prokurorisë, një nga incidentet më të rënda dyshohet se ka ndodhur më 26 prill 2024, në banesën ku biznesmeni jetonte me partneren e tij të atëhershme, shkruan Blue News, transmeton Telegrafi.
Ai dyshohet se e ka tërhequr gruan me forcë përtokë dhe më pas e ka detyruar të kryejë akte seksuale kundër vullnetit të saj. Sipas aktakuzës, gruaja ka tentuar të rezistojë, por përfundimisht ka arritur të lirohet, duke pësuar mavijosje, ënjtje dhe lëndime të tjera.
Prokuroria pretendon se edhe në mars të vitit 2024 kishte ndodhur një incident tjetër, kur burri dyshohet se e kishte tërhequr partneren nga divani gjatë gjumit dhe e kishte detyruar të kryente një akt seksual kundër dëshirës së saj.
Dy ditë më vonë, ai dyshohet se e ka shtyrë me forcë në dysheme, duke i shkaktuar zhvendosje të shpatullës, këputje të një vene dhe mavijosje.
Përveç akuzave për dhunë seksuale, sipërmarrësi dyshohet se ka përvetësuar dy unaza diamanti me vlerë të përgjithshme rreth 1.35 milion franga zvicerane.
Sipas aktakuzës, në fillim të shkurtit 2022, një grua ia kishte besuar dy unazat për t’ia prezantuar një blerësi potencial në Holandë, me kusht që më pas t’ia kthente.
Megjithatë, prokuroria pretendon se ai nuk i ktheu bizhuteritë dhe se, disa ditë më vonë, të paktën njërën prej tyre e shiti në një hotel në Bruksel.
Njëra unazë vlerësohej në rreth 102 mijë franga, ndërsa tjetra në afërsisht 1.25 milion franga zvicerane.
Burri dyshohet gjithashtu se ka falsifikuar dokumente në emër të pronares së unazave, për të krijuar përshtypjen se ajo kishte dhënë pëlqimin për shitjen e tyre.
Sipas prokurorisë, dokumentet ishin përdorur për të bindur një partner biznesi se borxhet ndaj tij mund të shlyheshin përmes shitjes së njërit prej diamanteve, transmeton Telegrafi.
Një tjetër pikë e aktakuzës lidhet me një kredi prej 208 mijë frangash zvicerane, të marrë gjatë pandemisë COVID-19 për kompaninë e ndërtimit.
Sipas prokurorisë, sipërmarrësi dyshohet se ka deklaruar të ardhura vjetore prej më shumë se 2.08 milionë frangash, ndërsa dokumentet paraprake financiare tregonin të ardhura prej rreth 1.08 milionë frangash.
Ai akuzohet gjithashtu se nuk i ka përdorur të gjitha fondet për nevojat operative të kompanisë, por ka transferuar shuma në llogarinë e tij personale dhe në kompani të tjera të lidhura me të.
Prokuroria pretendon se kompania e ndërtimit kishte probleme financiare që nga viti 2020, ndërsa ndaj saj ishin nisur disa procedura për mbledhjen e borxheve.
Pavarësisht kësaj, biznesmeni dyshohet se ka transferuar asete të kompanisë në mënyrë të parregullt, duke dëmtuar kreditorët.
Në aktakuzë përmendet edhe blerja e një veture Audi A6, me vlerë 29 mijë franga, e cila dyshohet se më pas i është transferuar një kompanie të kontrolluar prej tij pa kompensim.
Sipas prokurorisë, në total të paktën 208 mijë franga janë devijuar nga asetet e kompanisë.
Sipërmarrësi përballet me akuza të shumta, përfshirë përdhunim, sulm seksual, mashtrim, përvetësim, falsifikim dokumentesh dhe vepra penale që lidhen me dëmtimin e kreditorëve.
Ai pritet të përgjigjet para Gjykatës së Qarkut në Cyrih për akuzat e ngritura ndaj tij./Telegrafi/

