Peter Lloyd kishte punuar për 25 vjet, ishte martuar dhe kishte krijuar familje. Por një situatë kritike në supermarket ia kujtoi se diçka i mungonte në jetën e tij.
Në një rrëfim për The Guardian, ai tha se në moshën 42-vjeçare, niveli i tij i leximit ishte ai i një fëmije katërvjeçar.
"…Në vitin 2021, në moshën 42-vjeçare, niveli im i leximit ishte ai i një fëmije katërvjeçar. E kisha kaluar jetën deri në atë pikë pa ditur të lexoj e të shkruaj, duke ia dalë mbanë falë planifikimit të kujdesshëm dhe ndihmës së gruas sime… Gruaja ime po kujdesej për mësimin në shtëpi të djalit tonë 10-vjeçar dhe unë ndihesha në siklet që nuk mund të ndihmoja; puna ime e zakonshme si shofer kamioni ishte ndërprerë dhe madje edhe detyrat e thjeshta, si blerjet, ishin bërë jashtëzakonisht të vështira…", tha ai për The Guardian.
Një ditë, ai u ndje i mbingarkuar teksa përpiqej të gjente një lloj qumështi që gruaja dhe djali mund ta konsumonin, pasi të dy ishin alergjikë ndaj produkteve të qumështit dhe sojës. Ai kishte frikë se mos i helmonte pa dashje. Ai e kishte kuptuar se mënyra se si kishte jetuar deri atëherë nuk mund të vazhdonte më.
"…Nuk doja t'ia tregoja gruas sime, sepse ajo kishte tashmë mjaft gjëra për të përballuar, por sapo mbërrita në shtëpi, e pranova se po hasja vështirësi. Ajo më tregoi se kishte gjetur një organizatë që mund të më ndihmonte. Që kur kisha lënë shkollën, isha përpjekur disa herë të mësoja të lexoja, por asgjë nuk kishte funksionuar. Nuk mendoja se ia vlente të provoja sërish, por ajo më bindi ta bëja për hir të saj. Ai moment ndryshoi gjithë jetën time…", tha Lloyd.
Me ndihmën e një miku, ai arriti të gjente punë në një fermë aty pranë dhe pas një viti, vendos të ndjekte një kurs për të mësuar të lexonte.
Synimi i tij ishte të lexonte librin e parë të Harry Potter-it. Pasi e përfundoi librin e Harry Potter-it dhe pse e humbi mundësinë për t’i lexuar djalit të tij kur ai ishte më i vogël, tani mund të bënte gjëra të tjera së bashku – siç thotë ai për shembull të gatuante – sepse mund ta lexonte dhe ta ndjekte një recetë që ai e ka zgjedhur.
Sot, ai është ambasador i organizatës "Read Easy", dhe inkurajon të tjerët që ndodhen në situatën e tij të kërkojnë ndihmë, veçanërisht burrat që mund të ndihen tepër të turpëruar për të folur. Për momentin ai është duke lexuar tre libra!

