Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rënien e rrezikut nga spiunazhi dhe për, siç është shprehur, luftë hibride të Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës.
Siç raportojnë mediat serbe, Petkoviq ka pretenduar se Kurti “do t’i vërë çdo serbi në Kosovë etiketën e të ashtuquajturit spiun apo terrorist”, duke e cilësuar qasjen e tij si kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Kurti, në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë ka dhënë rezultate konkrete, duke çuar në arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.
KosovaPress ka raportuar më herët për disa raste të zbuluara të spiunazhit gjatë vitit të kaluar. Në mesin e të arrestuarve janë: Fatmir Sheholli, i arrestuar më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për spiunazh; Bojan Jevtiq, toger i Policisë së Kosovës dhe ish-shef operativ në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”; Hysri Selimi, i arrestuar më 6 maj 2025 nën dyshimet për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA); si dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, e arrestuar më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh pas hetimeve disa mujore nga Prokuroria Speciale.
Pavarësisht se për disa prej këtyre rasteve janë ngritur edhe aktakuza, Petkoviq ka pretenduar se të arrestuarit “po mbahen padrejtësisht në burgje” dhe se ata “nuk janë spiunë, por viktima të tiranisë dhe shfrenimit shovinist të regjimit në Prishtinë”.
Ai ka akuzuar Kurtin se me deklaratat e tij po “kërcënon paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë dhe politikanë serbë bëjnë deklarata të tilla ndaj institucioneve të Kosovës.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve kosovare, pretendime të tilla përbëjnë dezinformim të qëllimshëm, me synim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, dhe publikohen vazhdimisht në media në Serbi./Telegrafi.