Pesë personat e arrestuar do të lirohen këtë pasdite me kusht nga policia britanike, por hetimi kundër tyre do të vazhdojë.
Laurence Taylor, ndihmës-komisioner dhe drejtues i policisë britanike kundër terrorizmit, konfirmoi se pesë burrat do të lirohen pas marrjes në pyetje dhe hetimeve të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.
“Pas marrjes në pyetje dhe hetimeve të gjera, mund të konfirmoj se pesë burrat e arrestuar do të lirohen këtë pasdite me kusht nga policia”, tha Taylor para gazetarëve jashtë New Scotland Yard.
Ai theksoi se lirimi nuk nënkupton mbylljen e çështjes, transmeton Telegrafi.
“Dua ta bëj shumë të qartë: kjo nuk do të thotë se hetimi ka përfunduar”, deklaroi ai.
Të pesë të dyshuarit do t’i nënshtrohen kushteve të rrepta që kufizojnë lëvizjet dhe kontaktet e tyre me persona të tjerë.
“Ata mbeten absolutisht nën hetim, ndërsa ne vijojmë të shqyrtojmë disa pista të ndryshme hetimore”, shtoi Taylor. /Telegrafi/