Të paktën 95 persona kanë humbur jetën pas përmbytjeve të fuqishme që goditën Nepalin të mërkurën, ndërsa qindra persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, raporton mediumi nepalez The Kathmandu Post.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit të Nepalit, trupat e 95 viktimave janë nxjerrë nga zonat e prekura në shtatë distrikte. Megjithatë, identifikimi i të gjithë të vdekurve ende nuk ka përfunduar.
Situata është veçanërisht e rëndë në mesin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë. 85 pjesëtarë rezultojnë të zhdukur, përfshirë 44 nga Ushtria Nepaleze, 28 nga Policia e Nepalit dhe 13 nga Forca e Armatosur Policore.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar në zonat e prekura për të gjetur personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, 60 persona të lidhur me projekte të ndryshme hidroenergjetike gjithashtu nuk janë kontaktuar pas përmbytjeve.
Situata prek edhe turistët. 391 turistë të huaj dhe 93 turistë vendas rezultojnë aktualisht të paqasshëm.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë. Si pasojë e vërshimeve janë dëmtuar 19 ura të kalueshme me automjete, ndërsa janë dëmtuar rreth 40 kilometra rrugë.
Autoritetet po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa komunikimi dhe qasja në disa prej zonave të prekura mbeten të vështira për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës. /Telegrafi/
