Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe të Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, janë përmbyllur aktivitetet e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2026”.
Në këto aktivitete, sipas njoftimit, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Gjilanit, subjektet politike dhe të tjerë.
Me rastin e përmbylljes së manifestimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se në Zhegër janë mbledhur për të kujtuar figurën e Komandant Katanës, Agim Ramadanit.
“Sot në Zhegrën e tij, aty ku lindi shpirti i lirë që do t’i jepte dritë maleve tona, u bëmë bashkë për të përmbyllur ‘Ditët e Agimit’”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka theksuar se më 3 maj, Komandant Katana do të shënonte 63-vjetorin e lindjes, po të mos ishte rënë në altarin e atdheut.
“Sikur jeta të mos ishte ndërprerë në altarin e atdheut, komandant Katana, sot do të festonte ditëlindjen e tij të 63-të. Në këtë 3 maj, ne nuk kujtuam vetëm një komandant që theu kufijtë e padrejtë me forcën e grykës së pushkës. Ne kujtuam poetin që e shkroi lirinë me vargje para se ta vuloste me gjak, dhe artistin që pikturoi të ardhmen tonë me ngjyrat e sakrificës”, është shprehur ai.
Kryetari i Gjilanit ka shtuar se gjatë këtyre ditëve Zhegra dhe Gjilani janë përfshirë në aktivitete të ndryshme, duke kujtuar trashëgiminë e Agim Ramadanit.
“Nga fushat e sportit te vargjet e rinisë, Zhegra dhe Gjilani frymuan këto ditë me energjinë e tij”, ka thënë Hyseni.
Në fund, Hyseni ka nderuar figurën e komandantit të UÇK-së me mesazhin: “Lavdi e përjetshme Komandantit Agim Ramadani”. /Telegrafi/