Ne emisionin “Debat Plus” është duke u mbajtur një nga debatet më të rëndësishme të fushatës zgjedhore të 7 qershorit, ku përballë njëri-tjetrit janë nënkryetarët e katër subjekteve kryesore politike në vend.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova është dërguar në zgjedhje nga subjektet politike që, sipas tij, nuk kanë ofruar propozime konkrete për tejkalimin e situatës politike.
Konjufca, në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se vendi është përballur me një “situatë të ngushtë politike”, ku më pas Lëvizja Vetëvendosje është detyruar të veprojë, pasi sipas tij, mospropozimi i një kandidati për president do të ishte një situatë edhe më problematike.
Konjufca deklaroi se gjatë 48 orëve para zhvillimeve vendimtare janë bërë përpjekje për marrëveshje politike, përfshirë takime të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësues të LDK-së dhe PDK-së.
Sipas tij, diskutimet me PDK-në kanë qenë më të ndërlikuara për shkak të qasjes së tyre ndaj zgjedhjes së presidentit, të cilën e konsideroi si të orientuar drejt një figure partiake.
Ndërsa për LDK-në, Konjufca tha se fillimisht është dukur më e lehtë arritja e një marrëveshjeje, por sipas tij, palët nuk kanë arritur të bien dakord për një emër të përbashkët për president.
Ai shtoi se çështja e Vjosa Osmanit është ngritur vetëm pasi, sipas tij, pasi LDK-ja e kuptoi se nuk është zgjedhja e VV-së.
“Mendoj se edhe vitin e kaluar edhe sivjet Kosovën e dërguan në zgjedhje ata të cilët nuk dhanë kurrfarë propozimi konkret qysh me dal prej situatës në të cilën u gjendëm dhe pastaj kur u konsumua koha dhe erdhëm tek ajo ‘gryka e ngushtë’ e procesit atëherë LVV-ja veproi sepse do të ishte edhe më skandaloze që ne të mos propozonim president fare – si partia që e ka marrë 51% të votave të qytetarëve. Krejt kjo ka ndodhur në 48 orët e fundit – 48 orë para se me ardh kjo ne kemi pasur të gjitha përpjekjet e sinqerta disa takime kryeministri Kurti i ka pasur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Me të thënë të drejtën me PDK-në ka qenë më i ndërlikuar debati, diskutimi për arsye se forma në të cilën e ka shkruar PDK-ja zgjedhjen e presidentit ka qenë vështirë e pranueshme për ne pasi dukej që PDK-ja donte një president partiak i cili drejtpërdrejt do ti takonte PDK-së kurse me LDK-në fillimisht na u duk më e lehtë pasi këta vëtë e propozuan presidentin jopartiak por pastaj kur erdhëm tek hapja e asaj teme na u duk që nuk arritëm të vim deri tek një emër i përbashkët pasi Abdixhiku nuk dha një emër të veçantë – çështja e Vjosa Osmanit u bë temë vetëm kur ata e kuptuan se nuk do të jetë zgjedhja jonë”, u shpreh Konjufca.
Ismaili: Vetëvendosje tentoi ta imponojë vullnetin e Kurtit në negociata
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, në përballje me kundërkandidatët e tij, nënkryetarë të partive politike nga LVV, LDK dhe AAK, ka treguar se si shkoi vendi në zgjedhje.
Ismaili ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte 51% të votave, ka dashur ta dominojë diskursin edhe të negociatave.
“Nëse i quajmë ashtu negociata, sepse na ka ftuar ashtu, ka dashur ta mbizotërojë diskursin me propozimet e tyre dhe me dëshirën që ta imponojnë vullnetin gjithnjë e më të madh të Albin Kurtit në atë diskutim. Partia Demokratike e Kosovës e ka lexuar qysh herët këtë dëshirë të z. Kurti për ta imponuar mendimin e vet dhe ne në fund ju kemi kërkuar një letër.
Kemi kërkuar që negociatat të mos bëhen të mbyllura dhe të fshehura”, ka thënë ai.
Kica-Xhelili: Kosovën e çoi në zgjedhje pangopësia për pushtet e Kurtit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se vendi është çuar në zgjedhje për shkak të, siç tha ajo, “pangopësisë për pushtet”.
Gjatë debatit zgjedhor, Kica-Xhelili deklaroi se Kurti synon të përqendrojë sa më shumë pushtet në duart e tij, duke pretenduar se dëshiron të kontrollojë institucionet kryesore të shtetit.
“Kristal e qartë, Kosovën e ka çuar në zgjedhje pangopësia për pushtet. Një kryeministër në detyrë që dëshiron të jetë edhe kryeministër, edhe kryetar, edhe president, e madje edhe kryeprokuror”, tha ajo.
Sipas saj, deklaratat e fundit të Kurtit për sistemin prokurorial tregojnë synimin për të cenuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
“Nëse e keni dëgjuar intervistën e fundit të Kurtit, ai bën krahasime mes sistemit prokurorial të Kosovës dhe atij amerikan, duke lënë të kuptohet se Kosova nuk ka nevojë për një prokurori të pavarur. Kjo tregon saktë qëllimin e tij për të kontrolluar gjithçka”, u shpreh Kica-Xhelili.
Ajo shtoi se Vetëvendosjes, sipas saj, i konvenon kriza aktuale politike, pasi në këtë mënyrë shmanget vëmendja nga problemet në qeverisje.
“Përveç që nuk duan të qeverisin, atyre po u konvenon kjo krizë. Kjo krizë po ua fsheh krejt hajninë dhe matrapazllëqet që po ndodhin në institucionet shtetërore, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke përdorur një diskurs sikur të gjithë janë kundër tyre”, deklaroi ajo.
Kica-Xhelili tha se përballja politike duhet të fokusohet te rezultatet e qeverisjes dhe, sipas saj, te “pangopësia për pushtet” e kryeministrit në detyrë.
Ndryshe, Sonte po zhvillohet një nga debatet më të rëndësishme të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në emisionin më të ndjekur politik në vend, “Debat Plus” në TV Dukagjini, përballë njëri-tjetrit janë nënkryetarët e katër partive kryesore politike, duke diskutuar mbi programet, premtimet dhe sfidat që i presin qytetarët pas zgjedhjeve.
Tahiri: Çështja për president ka qenë spektakël politik i LVV-së
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur të drejtën për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve, duke qenë fituese me 51 për qind të votave.
Por, Tahiri tha se procesi politik dhe konsultimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë “spektakël politik”, duke shtuar se që në fillim nuk është synuar një president unifikues.
Ai në Debat Plus përmendi edhe procesin e votimit për presidentin, duke thënë se ka pasur përpjekje për të imponuar një votim, i cili ka përfunduar me 63 vota.
“LVV i ka fitu 51 për qind dhe plotësisht ka pasur të drejtë ta merr qeverinë ta udhëheqë. Kosova ka shkuar në zgjedhje në ditën kur është konstituar Kuvendi. I gjithë procesi i konsultimit politik në mes të LVV takimeve që kanë ndodhur ka qenë një spektakël politik që nga fillimi është ditur që synimi nuk është me prodhu një kriter të një profili të një presidenti unifikues”, ka deklaruar ai.
Tahiri theksoi se në ditën e fundit është bërë e ditur se Glauk Konjufca ka qenë kandidat për president.
– YouTube youtu.be
