Ylli me famë botërore, Dua Lipa, ka kaluar këto ditë në Kosovë pasi mori pjesë në një aheng familjar.
Artistja me origjinë nga Peja ishte e pranishme në dasmën e djalit të hallës, një festë që mblodhi familjarë dhe të afërm në një atmosferë tipike shqiptare.
Nga dasma u publikuan më herët disa pamje në rrjetet sociale, ku Dua shihej mes të ftuarve, duke iu bashkuar atmosferës së festës dhe valleve shqiptare.
Foto: Instagram
Tani, këngëtarja ka ndarë vetë disa nga momentet më të veçanta të kësaj dite me ndjekësit në Instagram.
Në fotografitë dhe videot e publikuara, ka sjellë momente nga festa, përfshirë traditat nga marrja e nuses e deri te eventi final.
“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar Dua në përshkrimin e postimit.
Foto: Instagram
Këngëtarja ka shtuar edhe një fjali në shqip: “Po na rritet rrethi”, një shprehje që i referohet zgjerimit të familjes pas martesës.
Vizita e Duas në Kosovë ka marrë vëmendje të veçantë, sidomos për faktin se është tejet e lidhur me Kosovën dhe se nuk ngurron të jetë e pranishme në raste të tilla.
Foto: Instagram
Edhe pse prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën në skenën ndërkombëtare, Lipa ka ruajtur një lidhje të fortë me prejardhjen e saj.
Prania e saj në familje, përdorimi i gjuhës shqipe dhe ndarja e momenteve nga festat shqiptare janë pjesë e mënyrës se si ajo vazhdon ta mbajë afër kulturën dhe rrënjët e saj. /Telegrafi/
Foto: Instagram