Raportimet nga Italia pretendojnë se mbrojtësi i Manchester Cityt, Nathan Ake, i është ofruar Interit, ku do të mund të ribashkohej me Manuel Akanjin.
“Nerazzurrët” po synojnë ta rifreskojnë repartin defensiv për sezonin e ardhshëm, pasi Francesco Acerbi, Matteo Darmian dhe Stefan de Vrij pritet të largohen, ndërsa edhe Alessandro Bastoni dhe Carlos Augusto raportohet se po e shqyrtojnë të ardhmen e tyre.
Në këtë kontekst, “FCInterNews” raporton se Ake i është propozuar Interit nga disa ndërmjetës të merkatos, të cilët po punojnë me agjentët e qendërmbrojtësit.
Kontrata e holandezit me Manchester Cityn vlen vetëm deri në qershor 2027, ndaj do të kishte kuptim që klubi i Ligës Premier ta shesë këtë verë, për të shmangur rrezikun e largimit si lojtar i lirë më vonë.
Ake është 31 vjeç dhe muajt e fundit është lidhur edhe me Bayer Leverkusen dhe Besiktas, por do t’i sillte Interit përvojë të vlefshme në mbrojtje. Manchester City pagoi rreth 45 milionë euro për ta transferuar nga Bournemouth në vitin 2020, ndërsa më parë ai ka qenë pjesë e Chelseat, Watfordit, Readingut dhe akademisë së Feyenoordit.
Ndërkohë, kujtohet se verën e kaluar kishte zëra për një largim të Akanjit nga City drejt Interit, por mbrojtësi zviceran ka rezultuar një nga më të qëndrueshmit te zikaltërit. Ai u transferua në huazim me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh, i cili do të bëhet i detyrueshëm nëse Interi fiton Scudetton — diçka që mund të ndodhë qysh këtë fundjavë./Telegrafi/