Hapësira përreth Parkut të Biznesit në Mitrovicë të Jugut, është përmbytur nga lumi Sitnica, i cili ka dalë nga shtrati mbrëmjen e së mërkurës si pasojë e reshjeve të fundit.
Si rrjedhojë, disa prej 24 bizneseve që operojnë në këtë park janë prekur nga përmbytjet.
Pronarët e bizneseve kanë bërë të ditur se dëmet janë të konsiderueshme, por vlerësimi i saktë financiar do të mund të bëhet vetëm pas tërheqjes së ujit dhe rikthimit të gjendjes normale.
Gjendje e rënduar paraqitet edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë të Jugut. Për shkak të përmbytjeve, disa familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nga ora 02:00 pas mesnate e deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga kjo lagje. Një pjesë e tyre janë strehuar në hotelin “Park”, ndërsa të tjerat tek familjarët.
Ekipet emergjente po vazhdojnë të jenë në terren dhe të monitorojnë situatën.