Instituti Hidrometeorologjik ka dhënë parashikimin e motit për fundjavë, gjersa ka bërë të ditur se nga aspekti agro-meteorologjik, këto kushte janë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, sidomos për proceset e fotosintezës dhe rritjes vegjetative.
IHK njofton se për të shtunën pritet të mbajë mot kryesisht me diell, si rezultat i ndikimit të një fushe të qëndrueshme të presionit të lartë atmosferik (anticiklon).
Këto kushte favorizojnë stabilitet atmosferik dhe reduktim të zhvillimeve konvektive.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3–5°C, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijnë vlera ndërmjet 18–21°C. Era do të fryjë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi të ulët deri mesatare, duke mos ndikuar ndjeshëm në parametrat termikë.
Ndërkaq, të dielën parashihet mot i ngjashëm, por me një rritje të lehtë të temperaturave maksimale, si pasojë e forcimit të insolacionit dhe vazhdimit të kushteve të qëndrueshme sinoptike.
Vranësirat do të jenë më të theksuara kryesisht në zonat malore, si rezultat i proceseve lokale orografike dhe zhvillimeve të dobëta konvektive gjatë orëve të pasdites.
Temperaturat minimale do të mbeten në intervalin 3–5°C, ndërsa maksimalet pritet të lëvizin ndërmjet 19–22°C.
Era do të jetë e lehtë deri mesatare, me drejtim të ndryshueshëm, duke reflektuar mungesën e një gradienti të theksuar barik. Nga aspekti agrometeorologjik, këto kushte janë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, sidomos për proceset e fotosintezës dhe rritjes vegjetative.
Megjithatë, temperaturat minimale relativisht të ulëta mund të paraqesin rrezik të lehtë për stres termik në fazat e hershme fenologjike të disa kulturave të ndjeshme. /Telegrafi/