Profesori universitar dhe opinionisti, Rrahman Paçarizi ka theksuar se është gabim i madh që kërkesat e rinisë dhe protestuesve të sotëm të cilësohen si të paqarta, apo të pabaza.
Sipas tij, gjeneratat më të vjetra duhet t'i shohin zhvillimet nga perspektiva e vetë të rinjve.
Gjatë debatit në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi u shpreh se revolta e rinisë nuk përbën ndonjë fenomen të panjohur, pasi historikisht çdo brez i ri ka kërkuar hapësirën e vet.
Nuk është kurrgjë e re. Nuk mendoj që ka të bëjë direkt me gjeneratën si të tillë, sepse Gjeneratë Z në '68-ën ka qenë ajo gjeneratë që i ka organizu protestat. Gjeneratë Z ka qenë ajo gjeneratë e cila ka bë protestat e '80-ave, Gjeneratë Z ka qenë ajo e '90-ave. Janë ata të rinjtë revolucionarë të cilët dojnë ndryshim, të cilët dojnë me i siguru vetes një hapësirë veprimi e cila nuk u lejohet prej neve më të vjetërve, sepse edhe na dojmë me ruajtë komoditetin tonë”, ka thënë Paçarizi.
Sipas tij, pengesa kryesore qëndron pikërisht te ngurtësia e brezave më të vjetër për të dëgjuar zërin e rinisë.
Ne jemi brezi jo i ri më, dhe nuk mbërrijmë me kuptu tamam kërkesën dhe nevojën e brezit i cili shtron sot kërkesat. Prandaj, me thënë që kërkesat e protestuesve janë të paqarta dhe të gabueshme, mendoj që është gabim, sepse duhet me u ulë me i pa edhe prej perspektivës së atyre. Qashtu funksionon bota, kështu ka funksionu dhe kështu ka me vazhdu me funksionu. Mbas 10-20 vjetësh, kjo Gjenerata Z e sotme ka me qenë gjenerata e cila ka me ua zënë frymën pak atyre që kanë me pasë nevojë më vonë”, ka thënë ai.
Teksa komentoi ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në organizimin e shpejtë të mesazheve, Paçarizi vuri në dukje se platformat digjitale shpesh krijojnë një dije paksa të copëzuar dhe sipërfaqësore, por kjo nuk e zhvlerëson të drejtën e rinisë për të kërkuar ndryshime.

