Oda Ekonomike e Kosovës përshëndet vendimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për hyrjen në fuqi, nga 1 qershori 2026, të Rregullores së re për Procesin e Trajtimit të Ankesave nga Institucionet Financiare, e cila për herë të parë promovon dhe institucionalizon në mënyrë të qartë përdorimin e mekanizmave alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë arbitrazhin.
Në përputhje me nenin 12 të kësaj rregulloreje, institucionet financiare obligohen që klientët t’i informojnë për mundësinë e zgjidhjes së kontesteve përmes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit.
Gjithashtu, dokumentacioni para-kontraktual duhet të përmbajë klauzola që mundësojnë përdorimin e këtyre mekanizmave, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
“Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sundimit të ligjit dhe përmirësimit të qasjes në drejtësi ekonomike në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
OEK thekson se përdorimi i arbitrazhit pritet t’u mundësojë palëve zgjidhjen e kontesteve në afate dukshëm më të shkurtra, duke shmangur procedurat e gjata gjyqësore.
Njëkohësisht, ky mekanizëm do të kontribuojë në: uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset në zgjidhjen e kontesteve; lehtësimin e ngarkesës së sistemit gjyqësor në Kosovë; përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e besimit të investitorëve të huaj.
“Përfshirja e arbitrazhit e afron Kosovën me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare dhe përçon një mesazh pozitiv për investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, në një mjedis ku sundimi i ligjit forcohet dhe ku procedurat jashtëgjyqësore konsiderohen mjete efikase, të shpejta dhe profesionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe financiare”, thuhet në komunikatë.
Në këtë kontekst, OEK rikujton se pranë saj funksionon Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit, i themeluar në bazë të Ligjit për Arbitrazhin, si institucion i pavarur dhe profesional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve ekonomike dhe institucioneve financiare.
Vendimet e këtij tribunali njihen dhe zbatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Duke shprehur mirënjohje ndaj BQK-së për këtë hap të rëndësishëm, Oda Ekonomike e Kosovës fton bankat, institucionet mikrofinanciare, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e tjera financiare që, gjatë harmonizimit të dokumentacionit të tyre me Rregulloren e re, të përfshijnë klauzola arbitrazhi duke referuar Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës.
Stafi i Odës mbetet në dispozicion të të gjitha palëve për informata shtesë lidhur me procedurat e arbitrazhit dhe për të mbështetur implementimin praktik të kësaj rregulloreje”, thuhet tutje. /Telegrafi/
