Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve të reja që qasjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan, ta trajtojnë si prioritet në kuadër të politikave të ardhshme energjetike të vendit.
Në një njoftim të publikuar të hënën, Oda Amerikane ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sektorit energjetik, ndërsa vendimet e ardhshme do të ndikojnë në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit.
“Me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje bartësve të mandatit të ri institucional që përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtojnë seriozisht si pjesë të politikës së ardhshme energjetike të vendit”, thuhet në njoftim.
Sipas Odës Amerikane, Kosova vazhdon të përballet me sfida në sektorin energjetik për shkak të kapaciteteve të vjetruara prodhuese dhe varësisë nga importi i energjisë elektrike.
“Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet më tej në deklaratë.
Oda Ekonomike Amerikane konsideron se përfshirja në infrastrukturën rajonale të LNG-së mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe integrimin më efikas të burimeve të ripërtëritshme.
“Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane meriton një vlerësim të veçantë”, thekson Oda, duke shtuar se kjo mundësi krijon bazë për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe sigurimin e financimit për projekte strategjike.
Në fund, Oda Amerikane ka kërkuar që institucionet e reja të ndërtojnë politika energjetike të bazuara në analiza profesionale dhe në interesin afatgjatë të Kosovës.
“Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
