Tre policë të gjeneratave të reja janë suspenduar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pas një denoncimi serioz për veprime të dyshuara me natyrë seksuale ndaj një vajze.
Policët dyshohet se synonin ta nxisnin vajzën që të shkonte me ta në një motel në zonën e Çagllavicës, për të kryer marrëdhënie seksuale të tre së bashku.
Burime të KALLXO.com, të afërta me Prokurorinë, kanë sqaruar rrjedhën e ngjarjes.
Sipas këtyre burimeve, vajza kishte dalë nga një klub pas orës 01:00 pas mesnatës.
Ajo ishte ndaluar nga një patrullë policore e përbërë nga tre policët. Gjatë komunikimit, sipas burimeve, policët kishin konstatuar se vajzës i mungonte një dokument.
Në dëshminë e viktimës evidentohet se njëri nga policët i kishte kërkuar llogarinë e saj në Snapchat dhe i kishte thënë se do të shkonin drejt Çagllavicës për të kryer marrëdhënie seksuale të tre së bashku.
Sipas dosjes së rastit, tre policët e kishin udhëzuar vajzën që t’i ndiqte me makinën e saj.
Vajza, sipas dosjes, e kishte tezen pjesëtare të Policisë së Kosovës dhe e kishte telefonuar atë gjatë asaj nate për t’i treguar për situatën.
Për ta sqaruar rastin, tezja e saj, pjesëtare e Policisë së Kosovës, kishte dalë nga shtëpia dhe kishte hipur në makinën e mbesës për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
Ndërkohë, sipas të dhënave, policët i kishin shkruar vajzës në Snapchat për ta pyetur se ku ndodhej.
Ngjarja kishte përfunduar me caktimin e një lokacioni, ku më pas kishte pasur një diskutim mes familjares police dhe tre policëve. Ajo u kishte kërkuar atyre llogari për arsyen e ndalimit të mbesës së saj.
Situata, sipas të dhënave, ishte bërë më serioze kur zyrtarja policore kishte hartuar një raport të detajuar për strukturën komanduese të Policisë së Kosovës lidhur me rastin.
Siç mëson KALLXO.com, pas këtij raportimi, eprorët e Policisë së Kosovës kishin ndërmarrë hapa për ta përcjellë rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Sipas njoftimit të IPK-së, lidhur me rastin, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore./Kallxo.com

