Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se duke filluar nga ky vit, të gjithë nxënësit që regjistrohen në vitin e parë të shkollave të mesme do të pajisen me uniforma falas.
Sipas tij, masa synon të zvogëlojë dallimet sociale mes nxënësve, të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe të krijojë një mjedis më të barabartë dhe më të sigurt në shkolla.
“Shkolla duhet të jetë vend ku të rinjtë garojnë në dije, punë dhe sukses, e jo në atë se kush vesh rroba më të shtrenjta apo se prindërit e kujt kanë më shumë mundësi financiare. Dallimet sociale shpesh bëhen shkak për ndarje, diskriminim, madje edhe bullizëm. Prandaj po vendosim këtë masë, me të cilën krijojmë një mjedis më të barabartë, më të sigurt dhe më të këndshëm për të gjithë nxënësit. Për herë të parë, çdo nxënës i regjistruar në vitin e parë të shkollës së mesme do të marrë uniformë shkollore falas”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai shtoi se me këtë masë do të ulen dallimet sociale, do të lehtësohet ngarkesa financiare për familjet dhe nxënësit do të kenë mundësi të përqendrohen te arsimi, zhvillimi personal dhe ndërtimi i së ardhmes së tyre.
