Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në Manastir, në shënimin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në fjalën e tij, Kurti foli për rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, duke vlerësuar vendimin e delegatëve për unifikimin e alfabetit shqip, pavarësisht dallimeve fetare, krahinore dhe ideologjike që kishin mes vete.
Ai theksoi se Kongresi i vitit 1908 dëshmoi se shqiptarët mund të arrijnë marrëveshje edhe kur nuk mendojnë njësoj.
“Pyetja e Kongresit të Manastirit mbetet e njëjtë: Si të vendosim bashkë kur nuk mendojmë bash njësoj?”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se dallimet janë të natyrshme në çdo shoqëri të lirë, por rreziku qëndron te bindja se marrëveshja është dobësi dhe kompromisi tradhti.
“Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas. Për ta, natyrisht, kjo ishte Gjuha Shqipe, thelbi i qenies sonë kombëtare”, tha ai.
Kurti foli edhe për sfidat e gjuhës shqipe në kohën e zhvillimit të teknologjisë, robotikës dhe inteligjencës artificiale, duke theksuar nevojën që akademitë, universitetet dhe institucionet përkatëse të punojnë për pasurimin e saj me fjalë dhe shprehje të reja.
Në fund të fjalimit, Kurti përkujtoi atdhetarët që morën pjesë në Kongresin e Manastirit dhe uroi 118-vjetorin e kësaj ngjarjeje historike.
“E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe”, përfundoi Kurti. /Lajmi.net/
Postimi i plotë;

