Luis Figo ka folur për periudhën e vështirë që po kalon Real Madridi, pas konflikteve të brendshme që kanë dalë në pah ditët e fundit.
Ish-futbollisti portugez tha se situata si përplasja mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit nuk duhet të ndodhin në një dhomë zhveshjeje të një klubi elitar, edhe pse pranoi se presioni dhe frustrimi mund të çojnë në incidente të tilla.
“Ajo që ka ndodhur te Real Madridi nuk është normale. Në një ekip si ky, nuk duhet të ndodhë, edhe pse nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit”, deklaroi Figo gjatë një eventi në Barcelonë, të organizuar me rastin e marrëveshjes së re të sponsorizimit mes La Ligës dhe Duracell.
Portugezi shtoi se menaxhimi i një dhome zhveshjeje me yje ndërkombëtarë është një detyrë e ndërlikuar dhe se sfida kryesore për një trajner modern lidhet më shumë me menaxhimin emocional të grupit sesa me vendosjen e disiplinës së rreptë.
“Të menaxhosh 30 persona nuk është e lehtë dhe ndonjëherë bëhen gabime që nuk duhet të ndodhin”.
Deklaratat e Figos vijnë vetëm disa orë para një tjetër “Clasico”, në një atmosferë të tensionuar te Real Madridi dhe mes shumë dyshimeve për të ardhmen e afërt të skuadrës./Telegrafi/