Kupa e Botës ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga tifozët më të famshëm të futbollit meksikan. Hector Chavez, i njohur nga të gjithë si “Caramelo”, ka ndjekur ndeshjen e tij të 543-të të kombëtares së Meksikës, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga tifozët më besnikë në botë.
64-vjeçari ka qenë pranë “El Tri” që nga viti 1986, kur Meksika organizoi për herë të fundit Kupën e Botës. Ai kujton se ndeshja e parë që ndoqi ishte më 19 shkurt të atij viti kundër Bashkimit Sovjetik, ndërsa debutimin e tij në një Botëror e bëri më 3 qershor në përballjen ndaj Belgjikës.
Në këtë edicion, “Caramelo” nuk është vetëm. Atij i është bashkuar edhe djali i tij 21-vjeçar, Hector Chavez Jr., i njohur si “Caramelo Jr.”. Dyshja dallohet lehtësisht në tribuna falë sombrerove të mëdhenj të zinj me nofkat e tyre të shkruara me shkronja të mëdha.
“Meksika ka një nga bazat më të mira të tifozëve në botë. Jemi ndër ata që udhëtojmë më shumë për të ndjekur ekipin dhe kemi traditë, identitet dhe krenari”, deklaroi Chavez për Associated Press.
Megjithëse është bërë një figurë e njohur në stadiume anembanë botës, “Caramelo” pranon se ky Botëror ka qenë më i vështiri për t’u përballuar financiarisht.
“Ky ishte Kupa e Botës më e shtrenjtë në histori. Disa nga miqtë e mi që zakonisht më shoqërojnë nuk mundën të vinin”, tha ai, duke zbuluar se udhëtimin e realizoi falë mbështetjes së familjes.
Popullariteti i tij nuk ka kaluar pa polemika. Disa tifozë meksikanë mendojnë se ai tërheq shumë vëmendje dhe e kanë kritikuar pas incidentit kur hodhi kapelen në fushë gjatë ndeshjes Kolumbi-Uzbekistan në Mexico City.
Megjithatë, Chavez ngre edhe një shqetësim më të madh për futbollin modern. Sipas tij, çmimet gjithnjë e më të larta të biletave po i largojnë tifozët më të zjarrtë dhe po ndryshojnë atmosferën tradicionale në stadiume.
Pas 543 ndeshjeve të ndjekura dhe 11 Kupave të Botës të përjetuara nga afër, “Caramelo” mbetet një simbol i pasionit dhe përkushtimit të tifozëve meksikanë ndaj ekipit të tyre kombëtar. /Telegrafi/
