Pep Guardiola ka përjashtuar edhe një herë mundësinë e rikthimit te Barcelona, duke bërë të qartë se aventura e tij si trajner i klubit katalunas i përket së kaluarës.
Në një intervistë për revistën zyrtare të Bundesligës, trajneri spanjoll u pyet nëse do ta shihte veten një ditë duke u rikthyer te Bayern Munichu. Guardiola nuk e përjashtoi plotësisht një mundësi të tillë, por fillimisht vlerësoi punën e trajnerit aktual të bavarezëve, Vincent Kompany, të cilin e cilësoi si “një trajner fantastik”.
Megjithatë, kur bëhej fjalë për Barcelonën, qëndrimi i tij ishte i prerë.
“A duhet të rikthehesh te një klub ku ke qenë më parë? Unë, për shembull, nuk do të kthehem te Barça”, deklaroi Guardiola.
Ish-trajneri i Barcelonës kishte pranuar edhe më parë se presioni i madh mediatik, pritshmëritë për futbollin e bazuar në posedimin e topit dhe rivaliteti me Real Madridin kishin ndikuar shumë gjatë periudhës së tij në ‘Camp Nou’.
Guardiola, 55-vjeçar, aktualisht është pa klub, pasi u largua nga Manchester City verën e kaluar, pas një dekade në krye të skuadrës angleze.
Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier dhe i dhuroi klubit trofeun e parë të Ligës së Kampionëve në histori.
I pyetur se kur mund të rikthehet në zejen e trajnerit, Guardiola bëri të ditur se nuk ka vendosur ndonjë afat kohor.
“Herën e fundit më është dashur një vit i plotë për t’u rikuperuar, por këtë herë nuk e di se sa kohë do të më duhet. Nuk po i vendos vetes asnjë afat”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, Guardiola ka marrë oferta nga Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ende nuk ka pranuar asnjërën prej tyre.
Në fund, ai pati fjalë të mira edhe për trajnerët aktualë të Barcelonës dhe Bayern Munichut, Hansi Flick dhe Vincent Kompany, duke i cilësuar si teknikë plotësisht të aftë për të garuar në nivelet më të larta dhe për të ndërtuar skuadra të mëdha./Telegrafi/

