Udhëheqja shtetërore e Serbisë ishte e ftuar në një program të televizionit Informer, ku u argëtuan me këngë që i interpretoi një person i dënuar për vrasje.
Në vend që të ishte një program në frymën e festës së Krishtlindjeve ortodokse, ngjarja më shumë dukej si një tubim partiak me këngë me përmbajtje ofenduese dhe elemente që lidhen me ideologjinë serbomadhe.
Në program ishin prezentë zyrtarë të lartë, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e parlamentit, Ana Brnabiq, ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq dhe disa ministra të tjerë.
I ftuari që këndoi për liderët e shtetit serb dhe zyrtarët e tjerë ishte Dragan Ashanin, këngëtar i cilësuar si “vrasës i dënuar”.
Ashanin ishte dënuar në vitin 1992 me 12 vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij, Jasmina Gjorgjeviq – të cilën e qëlloi me tre plumba para syve të vëllait të saj 12‑vjeçar.
Ndryshe, televizioni Informer, që e transmetoi programin, shpesh publikon përmbajtje propagandistike dhe jo të saktë, dhe fakti që një kriminel i dënuar u ftua për të argëtuar elitën shtetërore u konsiderua si një shembull i papërgjegjshmërisë ndaj publikut, sidomos duke pasur parasysh debatet rreth patriarkalizmit dhe dhunës ndaj grave në rajon. /Telegrafi/