Gazetari dhe aktivisti palestinez, Motaz Azaiza, publikoi një video ku një herë tjetër shihet tortura që përjetojnë palestinezët në Bregun Perëndimor.
Në videon që ai publikoi në rrjetet sociale, shihet një palestinez duke falur pranë rrugës. Megjithatë, në atë moment, një kolonist izraelit kaloi me një motor katër-rrotëshe (quad) dhe e goditi, duke e rrëzuar në tokë.
“Një terrorist izraelit sulmoi një palestinez që po lutej pranë rrugës në një rrugë që okupimi izraelit ka bllokuar në Bregun Perëndimor”, shkroi Azaiza.
Ai shtoi se palestinezët janë të pambrojtur në këtë situatë “çdo reagim ndaj këtij sulmi, madje edhe përpjekja për t’u mbrojtur, mund të çojë në vrasjen tuaj”.
Kolonistët izraelitë që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Bregun Perëndimor shkaktojnë çdo ditë probleme të mëdha për palestinezët, të cilët jetojnë në këtë zonë për dekada.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi gjithashtu se të paktën pesë dele kanë vdekur pasi kolonistët e paligjshëm spërkatën tokën me kimikate helmuese në fshatin Kisan, në Bregun Perëndimor.
Autoritetet izraelite mbështesin vendosjen e kolonistëve në mënyrë të paligjshme, dhe së fundmi është miratuar një plan për ndërtimin e 19 kolonive të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor. /Telegrafi/