“Mrekullitë ndodhin vërtet”, sipas Xhulietës.
56-vjeçarja thotë se lutjet e saj u plotësuan pasi humbi djemtë binjakë dhe vite më vonë, pati një fëmijë të shëndetshëm, të quajtur Leo.
“Pas vdekjes së binjakëve, nuk isha e sigurt se si do të shkonte jeta ime dhe kur u dha diagnoza dhe prognoza për Leon se ai mund të mos mbijetonte dhe shtatzënia do të ishte e vështirë, nuk e dija me siguri nëse Zoti do të kryente një mrekulli”, kujton ajo.
“Por besimi im mbeti i pandryshuar dhe unë thjesht u përqendrova në atë grimcë besimi që kisha dhe vazhdova të lutesha, të besoja, të flisja me shpirtin e Leos në barkun e nënës”, shton Xhulieta.
Një copë tokë e gjelbër, e vendosur midis autostradave M6 dhe M42 pranë Coleshill në Mbretërinë e Bashkuar është zgjedhur për të pritur një monument të ri gjigant kombëtar të krishterë, dhe historia e Xhulietës do të jetë pjesë e tij.
I quajtur “Muri i Përjetshëm i Lutjes së Përgjigjesuar”, struktura e betonit të bardhë do të arrijë lartësinë e 12 autobusëve me dy kate dhe do të përbëhet nga një milion tulla, duke e bërë atë monumentin më të madh të krishterë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Do të jeni në gjendje ta drejtoni telefonin tuaj nga cilado prej tullave dhe telefoni juaj do të ndizet, dhe pastaj do t’ju tregojë historinë e shpresës që fshihet brenda secilës prej tyre”, shpjegon themeluesi i projektit, Richard Gamble.
Richard Gamble la punën e tij te Leicester City për ta bërë projektin realitet.
Ideja i erdhi menjëherë, , ndërsa rastësisht po tërhiqte një kryq nëpër Leicestershire gjatë Pashkëve në vitin 2004.
Më vonë ai la punën e tij për ta bërë ëndrrën realitet.
Për shkak të vendndodhjes së saj të frekuentuar, e cila është gjithashtu afër linjës hekurudhore HS2, Richard mendon se do të shihet nga 800,000 njerëz çdo ditë.
Një bamirës privat ka dhuruar tokën dhe po mbulon pjesën më të madhe të kostos prej 40 milionë funtash, por Richard dhe ekipi i tij po mbledhin fonde për të mbuluar punimet përfundimtare të projektit, si qendra e vizitorëve, parkimi i veturave dhe peizazhi.
Ata po u bëjnë thirrje njerëzve që të paraqiten me lutjet e tyre të përgjigjura – deri më tani kanë pasur 125,000 .
Ndërtimi është duke u zhvilluar dhe shpresohet që monumenti të përfundojë në vitin 2028. /Telegrafi/