Ka momente në futboll që nuk harrohen kurrë, pavarësisht sa kohë kalon. Për tifozët e Bosnjës dhe Hercegovinës, një prej tyre mbetet ndeshja ndaj Nigerisë në Kupën e Botës 2014, kur një vendim i diskutueshëm i gjyqtarëve mund t’i kushtonte ekipit kombëtar kualifikimin historik në fazën e eliminimit direkt.
Pas humbjes ndaj Argjentinës në ndeshjen e parë të grupit, Bosnja kishte nevojë për rezultat pozitiv ndaj Nigerisë për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje.
Në minutën e 21-të, Zvjezdan Misimović dhuroi një asistim të shkëlqyer për Edin Dzekon, i cili e dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi festën e tifozëve boshnjakë.
Megjithatë, festa zgjati pak. Asistenti ngriti flamurin për pozitë jashtë loje, ndërsa gjyqtari nga Zelanda e Re, Peter O’Leary, anuloi golin. Pamjet televizive treguan qartë se Dzeko ishte në pozicion të rregullt dhe se goli duhej të ishte pranuar.
Një plagë që ende dhemb
Vetëm pak minuta më vonë, Nigeria realizoi golin e fitores. Boshnjakët protestuan edhe për aksionin që parapriu golin, pasi konsideronin se ishte bërë faull ndaj kapitenit Emir Spahic, por loja vazhdoi dhe Peter Odemwingie shënoi për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes, Bosnja sulmoi pa pushim në kërkim të barazimit. Edin Dzeko ishte pranë golit në momentet vendimtare, por goditi shtyllën, ndërsa fati nuk ishte në anën e “Dragonjve”.
– YouTube www.youtube.com
Edhe pas më shumë se një dekade, ai gol i anuluar vazhdon të konsiderohet si një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e futbollit boshnjak. Vetë Dzeko ka pranuar se nuk do ta harrojë kurrë atë moment.
Megjithatë, Bosnja e mbylli atë Botëror me një fitore 3-1 ndaj Iranit, duke regjistruar suksesin e saj të parë në një turne të madh.
Sot, 12 vjet më vonë, Edin Dzeko ka ndihmuar sërish Bosnjën dhe Hercegovinën të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, duke u dhënë tifozëve shpresën për të përjetuar net të reja historike dhe për të lënë pas kujtimet e hidhura të Brazilit 2014. /Telegrafi/
