Ish-boksieri rus Denis Boitsov ka vdekur në moshën 40-vjeçare, 11 vjet pas një aksidenti misterioz në një tunel të metrosë në Berlin, që ia ndryshoi përgjithmonë jetën dhe i dha fund karrierës së tij sportive.
Boitsov konsiderohej një prej talenteve më premtuese në boksin profesionist në kategorinë e peshave të rënda. Në maj të vitit 2015, kur ishte vetëm 29 vjeç, ai u gjet pa ndjenja dhe me lëndime të rënda në një tunel të metrosë në kryeqytetin gjerman.
Boksieri pësoi lëndime serioze në kokë dhe duar, ndërsa iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në spitalin Charité. Më pas u vendos në koma të induktuar mjekësisht dhe iu nënshtrua operacioneve të tjera, të ndjekura nga një periudhë e gjatë rehabilitimi.
Pas aksidentit, Boitsov nuk ishte në gjendje të ecte dhe të fliste në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, rrethanat e sakta të ngjarjes në Berlin nuk u sqaruan asnjëherë plotësisht, duke e lënë rastin të mbuluar me mister.
Vdekjen e tij e bëri të ditur një qendër sportive në rajonin rus të Oryolit, përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social VK, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e ish-boksierit.
I njohur me nofkën “Tysoni rus”, Boitsov zhvilloi 37 meçe në karrierën profesioniste, duke regjistruar 36 fitore, prej të cilave 27 me nokaut. Në vitin 2013, ai qëndroi për një periudhë të gjatë në vendin e parë të renditjes së Organizatës Botërore të Boksit (WBO) në peshat e rënda, pas kampionit të botës Wladimir Klitschko.
Meçi i tij i fundit u zhvillua në mars të vitit 2015 në Rostock të Gjermanisë, ku mposhti brazilianin Irineu Beato Costa Junior, i cili u tërhoq në raundin e dytë.
Boitsov ishte në prag të një mundësie të madhe për të sfiduar për titullin botëror, por aksidenti misterioz ia ndërpreu karrierën në momentin kur po i afrohej majave të boksit profesionist./Telegrafi/

