Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka njoftuar se ka realizuar me sukses një intervenim kompleks kirurgjik te një pacient me një masë tumorale me përmasa të konsiderueshme.
Sipas njoftimit të spitalit, operacioni është kryer te pacienti me inicialet R.D., i lindur më 1957 dhe nga Mitrovica, ndërsa ndërhyrja është realizuar nga mjekët e Repartit të Kirurgjisë në bashkëpunim me ekipin e Anesteziologjisë.
Spitali ka bërë të ditur se pacienti është diagnostikuar me “Liposarcoma permagna regio thoraco-abdominalis (pars lumbalis) l.sin”, që sipas sqarimit në njoftim, bëhet fjalë për tumor malinj të indit dhjamor me përmasa shumë të mëdha në regjionin e gjoksit dhe barkut, konkretisht në pjesën e mesit, në anën e majtë.
Në njoftim thuhet se tumori kishte shtrirje invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë deri në pjesën e sipërme të kockës së legenit në anën e majtë.
“Tumori kishte një shtrirje mjaft invazive, nga këndi i poshtëm i sqetullës së majtë (axilla), deri te pjesa e sipërme e kockës së legenit në anën e majtë (crista iliaca anterior superior)”, thuhet në njoftim.
Spitali ka theksuar se operacionet e tumoreve të këtyre përmasave kërkojnë saktësi të lartë kirurgjike, për shkak të afërsisë me organet vitale dhe strukturat vaskulare.
Ndërhyrja, sipas spitalit, është kryer nga ekipi i mjekëve kirurgë: Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Muhamet Musa dhe Dr. Albert Miftari, ndërsa nga ana e anesteziologjisë: Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Arbër Bardhaj. Në ekip kanë qenë të përfshira edhe instrumentaret Medina Pllana dhe Fidane Brahimi Sejdiu, si dhe tekniku i anesteziologjisë Petrit Boja.
Pas përfundimit të procedurës dhe monitorimit për disa ditë, spitali ka njoftuar se pacienti është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. /Telegrafi/