Gjatë së dielës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në njoftimin e SHSKUK-së thuhej se vendimi për suspendimin e katër punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas parregullsive të evidentuara.
Sipas burimeve të gazetares së Klan Kosovës, Arbëreshë Uka, të suspenduarit janë katër farmacistë përgjegjës të klinikave.
Në mesin e tyre, është edhe farmacisti përgjegjës në Klinikën e Onkologjisë.
Në këtë mënyrë, QKUK-ja ka vendosur që fajin e mungesës së furnizimit me barna ta lë në dorën e katër farmacistëve, të cilët edhe janë suspenduar nga SHSKUK-ja.
Kohëve të fundit, pacientët vazhdimisht janë ankuar për mungesë të barnave, të cilët edhe janë detyruar që t’i blejnë vetë.
Gjithashtu, janë adresuar kritika të shumta ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore lidhur me mungesën e menaxhimit për furnizim me barna për sistemin publik shëndetësor. /Klankosova.tv

