Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dr. Ibrahim Rugova” në Podujevë po ndërtohet një aneks i ri, i cili pritet të krijojë kushte më të mira për organizimin e mësimit tërëditor.
Kështu ka njoftuar drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar investimet dhe punën e vazhdueshme në këtë shkollë.
“Në SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” po ndërtohet aneksi i ri, i cili do të krijojë kushte më të mira për organizimin e mësimit tërëditor”, ka shkruar Fetahu.
Sipas tij, kjo shkollë është shndërruar në një ambient më të përshtatshëm për nxënësit, falë investimeve dhe angazhimit të vazhdueshëm, veçanërisht nga Ndërmarrja Publike “Eko Llapi”.
“Kjo shkollë në qytet, falë investimeve dhe punës së vazhdueshme, veçanërisht nga Ndërmarrja Publike “Eko Llapi”, është shndërruar në një model të një ambienti të ngrohtë, gjithëpërfshirës dhe të përshtatshëm për të gjitha kategoritë e fëmijëve”, ka deklaruar ai.
Fetahu ka bërë të ditur se në këtë shkollë është zgjeruar hapësira dhe është funksionalizuar edhe Qendra e Autizmit, përmes së cilës ofrohen shërbime falas nga asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Me njerëz të vullnetit të mirë, kemi zgjeruar hapësirat dhe funksionalizuar edhe Qendrën e Autizmit, duke ofruar shërbime falas nga asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta”, ka shkruar Fetahu.
Ai ka shtuar se së shpejti ekipit do t’i bashkohen edhe logopedët, me çka, sipas tij, do të zgjerohet më tej mbështetja profesionale për fëmijët.
Fetahu ka vlerësuar edhe punën e drejtoreshës së shkollës, Vjollca Breznica, dhe stafit të saj, të cilin e ka përshkruar si një ekip kryesisht të përbërë nga gra të përkushtuara.
“Me drejtoreshën, znj. Vjollca Breznica, dhe ekipin e saj, kryesisht të përbërë nga gra të përkushtuara, kjo shkollë po jep një shembull të mirë të menaxhimit, përkushtimit dhe kujdesit ndaj nxënësve”, ka shkruar ai.
Në fund, drejtori i Arsimit në Podujevë e ka cilësuar investimin në shkollë si investim në cilësinë e arsimit dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Investim në hapësira, investim në cilësi, por mbi të gjitha investim në fëmijët tanë”, ka përfunduar Fetahu. /Telegrafi/