Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë ka thënë se do të ndalojë tërheqjen e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).
Peter Magyar, i cili pritet t’i japë fund pushtetit 16-vjeçar të Viktor Orban pas fitores së tij historike në zgjedhje në fillim të këtij muaji, njoftoi qëllimin e tij me një paralajmërim për Benjamin Netanyahun e Izraelit.
Mbajtja e anëtarësisë do të thotë që ata që kërkohen nga ky organ mund të arrestohen nëse hyjnë në Hungari.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Budapest, Magyar tha se ia kishte “bërë të qartë këtë” zotit Netanyahu, i cili është kërkuar për krime të dyshuara lufte në Gaza që nga viti 2024, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Orban kishte njoftuar vendimin e tij për t’u tërhequr nga GJNP vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të mospajtimit të tij me urdhër-arrestin për homologun e tij izraelit.
Kjo duhej të hynte në fuqi më 2 qershor dhe ta bënte Hungarinë vendin e vetëm të BE-së që nuk e njeh juridiksionin e gjykatës, por Magyar, i cili kryeson partinë e qendrës së djathtë Tisza, tha se ekipi i tij “e ka shqyrtuar dhe ne do ta ndalojmë [atë]”.
“Unë besoj se nëse vendi është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe një person që kërkohet nga gjykata hyn në territorin tonë, atëherë ai person duhet të merret në paraburgim”, shtoi ai, duke iu referuar zotit Netanyahu.
Urdhër-arresti për Netanyahu u kritikua ashpër në atë kohë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden.
E pasardhësi i tij, Donald Trump, ka vazhduar ta mbështesë me vendosmëri kryeministrin izraelit.
SHBA-të nuk janë anëtare të GJPN-së dhe Netanyahu ka vizituar Uashingtonin dhe pronën e zotit Trump në Florida disa herë, përfshirë edhe përpara nisjes së luftës kundër Iranit.
Trump dhe Netanyahu kanë qenë të dy mbështetës të fortë të kolegut të tij të krahut të djathtë, Orban, dhe kishin shpresuar ta shihnin atë të qëndronte në pushtet. /Telegrafi/