Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë vijojnë të mbeten ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto dy muze, të cilët zgjojnë interes për turistët që vizitojnë Krujën qofshin këta vendas apo të huaj.
“Muzeu i Krujës, ndër destinacionet më të frekuentuara të trashëgimisë sonë historike me 200 mijë vizitorë në vit”, shkruan Rama.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit.
Muzeu Etnografik i Krujës ka një total prej 15 dhomash, secila me funksionin, kompozicionin dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse. Shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, e vizitojnë Muzeun Etnografik si një pjesë të rëndësishme të turit të tyre në qytetin historik të Krujës.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë./atsh

