Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të mbështesin me të gjitha resurset e nevojshme ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit. Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, ai tha se përkrahja institucionale nuk duhet të varet nga vullneti politik i Qeverisë.
Duke folur për hapat pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, Mustafa tha se mbrojtja në apel kërkon angazhim të plotë të shtetit, si për punën e ekipeve mbrojtëse, ashtu edhe në rrafshin diplomatik dhe unifikim, shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
“Shteti i Kosovës duhet të vendoset me gjitha resurset që i ka në mbështetje të procesit mbrojtës të shkallës së dytë, përkatësisht apelit në Hagë, dhe kjo nuk ka alternativë”, deklaroi Mustafa.
Ai theksoi se, sipas tij, institucionet kanë përgjegjësi t’u sigurojnë të akuzuarve mbrojtje dinjitoze në vazhdim të procesit.
“Shteti i Kosovës, e as Qeveria, nuk duhet ta trajtojë këtë çështje si çështje të vullnetit të mirë. Kjo është obligim”, tha deputeti i PDK-së.
Mustafa kërkoi mbështetje për ekipet mbrojtëse dhe angazhim diplomatik të Qeverisë së Kosovës. “Duhet të sigurohet mbrojtje dinjitoze, qoftë sa i përket ekipeve të mbrojtjes, qoftë sa i përket angazhimit edhe diplomatik të Qeverisë”, u shpreh ai.
Sipas Mustafës, synimi i mbështetjes institucionale duhet të jetë që ekipet mbrojtëse të kenë kushtet e nevojshme për ta paraqitur rastin e tyre në shkallën e dytë. Ai tha se për PDK-në vetëm një vendim lirues do të ishte i pranueshëm, duke e paraqitur këtë si qëndrim të partisë ndaj procesit.
Kërkon qasje të përbashkët politike dhe mbështetje nga Shqipëria
Mustafa tha se dallimet mes partive duhet të lihen mënjanë për të ndërtuar një qasje të përbashkët ndaj zhvillimeve në Hagë. Sipas tij, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar takime me Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin për këtë çështje.
“Është koha për unifikim”, tha Mustafa, duke shtuar se PDK-ja pret që partitë e tjera “të reflektojnë pozitivisht” për nevojën e mbështetjes së mbrojtjes.
I pyetur për rolin e Tiranës zyrtare, ai tha se pret ndihmë edhe nga Shqipëria dhe shtetet e tjera mike. “Sigurisht që ne presim mbështetje edhe nga Qeveria e Shqipërisë, po edhe nga shtete tjera mike”, deklaroi Mustafa.
Deputeti i PDK-së e cilësoi vendimin e shkallës së parë të padrejtë dhe tha se mbështet edhe protestat e qytetarëve që kundërshtojnë atë. Ai u shpreh se, krahas protestave, veprimi institucional duhet të përqendrohet te përgatitja për apelin dhe mbështetja e ekipeve mbrojtëse. /Telegrafi/.