Musa Damati ka bërë të ditur se është avokat i Vlora Hyseni në Kosovë për disa raste ligjore të natyrës civile.
Damati në një postim në Facebook, pas zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku Vlora Hyseni si ish-drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shqipërisë ndodhet në arrest shtëpiak thekson neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) konsiderohet si një nga nenet më të rëndësishme në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, nen ky i cili po ashtu aludon edhe në interpretimin se lidhur me prezumimin e pafajësisë ndalohet paragjykimi publik para vendimit final gjyqësor.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Në anën time të djathtë në këtë foto është znj. Vlora Hyseni!
Drejtuese e dy Shërbimeve Sekrete.
Dy herë drejtuese e AKI-së në Kosovë, më pas këshilltare për siguri e kryeministrit të Shqipërisë, dhe së fundi drejtoreshë gjenerale e Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH-it).
Që nga viti 2021 jam avokat i saj në Kosovë, të cilën edhe e përfaqësoj në bazë të autorizimit të dhënë me shkrim pranë gjykatave të Kosovës në disa raste ligjore të natyrës civile.
Për znj. Hyseni, ashtu si edhe për çdo qytetar tjetër i cili është subjekt eventual i procedurave penale duhet që të vlejë parimi krucial procedural i drejtësisë prezumimi i pafajësisë, i garantuar me legjislacionin penal vendor dhe atë ndërkombëtar, e që nënkupton se çdo person prezumohet (konsiderohet) i pafajshëm përderisa të mos vërtetohet e kundërta me verdikt të plotfuqishëm të Gjykatës kompetente, e përcaktuar taksativisht me nenin 6 paragrafi 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) konsiderohet si një nga nenet më të rëndësishme në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, nen ky i cili po ashtu aludon edhe në interpretimin se lidhur me prezumimin e pafajësisë ndalohet paragjykimi publik para vendimit final gjyqësor.
– Fotoja është shkrepur në vitin 2021 para marrjes së funksioneve zyrtare në Shqipëri, gjatë një takimi pune rreth procedurave legale për përfaqësimin e saj.